Çdo ditë po na përgatisin mish për top

Po të ishte Maqedonia një shtet me qëndrueshmëri të mirë politike, morale, juridike dhe ekonomike, me një mirëqenie të kënaqshme dhe me një standard normal të jetesës, atëherë vërtet ngjarjet e fundit nuk do të kishin asnjë kuptim. Madje do të ishin tepër tendencioze. Çfarë kuptimi kanë protestat jo aq paqësore në një shtet me sistem juridik funksional? Çfarë kuptimi kanë bisedat për ndonjë luftë të mundshme? Çfarë kuptimi kanë ndikimet dhe kurthimit e jashtme? Çfarë kuptimi do të kishte frika e harbuar ndaj shefit të shërbimit sekret? Mbase vetë pyetjet e këtilla nuk do të kishin kuptim.

Betejat e fundit të armatosura dhe ato paqësore, tregojnë se në këtë shtet mund bëhet edhe më keq sesa është. Njeriu s’ka si të mos habitet me këtë shtet që zemrën e saj ia ka besuar për operim kardiologëve të dobët rus dhe në anën tjetër ende hiqet se Amerikën e dashuron me zemër, duke e lënë kështu popullin në një huti të thellë. Ky është shteti që varfërinë na bën të mundur ta harrojmë vetëm si rrjedhojë e sulmeve të armatosura. Mund ta ndjeni atmosferën e fundit në Kumanovë. Tani në Kumanovë askush nuk po flet për diskriminimin ekonomik. Hall tjetër shumë më të madh i shërbeu shteti këtij qyteti, gjegjësisht Lagjes së Trimave të banuar kryesisht me shqiptarë!

Në kësi lloj gjendjesh të sillesh si duhet vërtet është diçka madhështore. Fjala vjen, ata patën guxim të vdesin në Kumanovë, kurse ne u frikësuam të paktën t’i shprehnim ngushëllime familjeve të tyre. Mbase as t’i kritikojmë haptas për veprimin e tyre nuk guxuam. Ndonëse më shumë se të frikësuar, jemi të hutuar. Kuzhinat për gatim të shpifjeve edhe të dielave po punojnë. Na thanë se ky, ai dhe ata punojnë për para dhe janë të dëmshëm për shqiptarët. Nuk është projekt shqiptar, – na thanë ata që as projekt për familjet e tyre nuk kanë e të mos flasim për ndonjë projekt shqiptar. Na thanë kështu pikërisht ata që kurrë nuk qenë të dobishëm për shoqërinë. Ata që votat i morën prej shqiptarëve, mirëpo bekimin për veprime e morën prej kryegjarpërit të shërbimeve të urithit. Sa e sa njerëz të mirë, po lloji i këtyre të ndytëve i shpalli spiun, tradhtar dhe mercenar. Sa të hutuar që jemi!

Paramendoni, luftën dhe pas luftën e 2001-shit përkundër se qemë përjetues të saj, assesi nuk po arrijmë ta kuptojmë si duhet, mirëpo hiqemi të sigurt se me përpikëri i njohim betejat dhe qëllimet e Skënderbeut. A nuk arrijmë të bindemi të paktën se historia jonë është një mashë e mirë e regjimeve përvëluese të mendjeve tona? Nuk them të mos i besojmë historisë, mirëpo të dyshojmë në histori, sepse deri më tani ajo nuk ishte mësuesja jonë, por mësuesja lavire që i shërbeu të pamoralshmëve. Vetëm përmes dyshimit në këtë rast mund të arrijmë në të vërtetën prej së cilës mëtojmë të mësojmë diçka, përndryshe tani jemi rritur sa të mos kemi nevojë për përralla të zhveshura prej porosive të shëndosha. Nëse nuk bindeni, jepjani një prapakthim ngjarjeve të cilat posa i përjetuam. Shikojeni versionin zyrtar se me sa të pavërteta është i kapërthyer dhe me sa enigma është mbërthyer. Përcillni reagimet e ndryshme; sa kundërthënëse që janë. Në njërën anë u dhimbsen shqiptarët që ranë duke luftuar në Kumanovë, duke qenë të kujdesshëm që këtë dhimbje të përzier me krenari të mos e shfaqin, kurse në anën tjetër mbajnë një minutë heshtje për policët e vrarë! Vërtet, janë për t’u dhimbsur të dyja palët, ngaqë këta janë ata që më së paku mund të kenë faj në gjithë këtë rrëmujë. Me të drejtë, ushtaraku Dritan Demiraj në pyetjen se kush është përgjegjësi i asaj që ndodhi në Kumanovë, ai përgjigjet se është përgjegjës kryeministri Gruevski, ish-ministria e Brendshme Jankullovska, shërbimi sekret Maqedonas dhe pa dyshim përgjegjës janë dhe faktori politik shqiptar, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët po bëjnë një bashkëqeverisje në lidhje me të drejtat e njeriut dhe më konkretisht të shqiptarëve. Më vjen çudi që nuk reagon fort Ali Ahmeti i cili ka një të kaluar si ish-komandant lufte dhe pjesën më të madhe të atyre që u vetëdorëzuan i njeh!

Kësodore, Maqedonia është e tillë çfarë është për shkak të punës së atyre që ishin pjesë e udhëheqjes së këtij shteti. Raste të tmerrshme po na ndodhin për shkak se leshkot e banditët po na udhëheqin, përndryshe nuk do të ishim kaq keq. Bujku me arën djerrinë nuk ka të drejtë logjike dhe morale të krenohet, ngaqë vetë ara së cilës i mungon goja flet më shumë se çdo gojëtar i rryer. Rrjedhimisht, prej këtij bataku mund të dalim vetëm nëse dalin prej qeverisë krijuesit e këtij bataku. E kuptueshme, nuk do të jetë i lehtë hapi tjetër, as nuk do të ndodhin mrekullia, mirëpo më keq sesa është nuk do të bëhet. Besoj se pas vështirësive vijnë lehtësimet. Lulet e dimrit janë ato që tregojnë se po vjen stina e pranverës!

Lajme të ngjashme

Back to top button