Ahmeti shprehu mirënjohje për angazhimin gjerman në kontestin me emrin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim,  Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë Ambasadoren e Gjermanisë, zonjën Gudrun  Shtajnaker. Gjithashtu, Kryetari Ahmeti është takuar edhe me Piter Dju, përfaqësues special i Sekretarit Gjeneral të OKB për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadorja Gjermane diskutuan rreth konkluzave të samitit të Bashkimit Evropian, por edhe për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë  integrimet EuroAtlantike.

Lideri Ahmeti shprehu mirënjohje për angazhimin gjerman në kontestin me emrin, në veçanti takimin e Kancelarës Merkel dhe ndërmjetësit të OKB për emrin Nimic si dhe deklaratat e bashkëpunëtorëve të saj dhe deputetëve gjerman. 

Ahmeti shprehu bindjen se qeveria e re gjermane do të intensifikojë përpjekjet për të ndihmuar në mbylljen e suksesshme të çështjes së emrit dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Gjermania mbetet mbështetëse e Maqedonisë në rrugën drejt NATO-së dhe BE-së, por njëkohësisht inkurajon edhe zgjidhje sa më të shpejtë të kontestit me fqinjin jugor Greqinë.
Për të arritur zgjidhje, palët duhet të ulen në tavolinë dhe të arrijnë kompromis mbi propozimin e fundit të Nimic, por kjo mund të arrihet vetëm me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Me Piter Dju, Kryetari Ahmeti foli rreth situatës në Ballkanin perëndimor, marrëdhëniet nder fqinjësore, nevojën për pajtim ndërshtetëror dhe integrim të përbashkët në BE dhe NATO.

Ahmeti theksoi rolin e rëndësishëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e çështjes së emrit e cila do të kontribuonte në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë dhe të rajonit të Ballkanit perëndimor. 

Lajme të ngjashme

Back to top button