Terr informativ në aeroportin e Shkupit

Për shkak të mjegullës, aeroporti i Shkupit është i mbyllur, por në qoftë se shkoni në faqen e parë të ueb-faqes së aeroportit nuk do ta merrni këtë informatë.

Vetëm te lista e fluturimeve bëhet e qartë se fluturimet janë anuluar, por në asnjë vend tjetër nuk shkruan se cili është shkaku, si e menaxhon aeroporti këtë situatë dhe cilat janë alternativat për udhëtarët. 

Pasagjerët janë të revoltuar nga neglizhenca e udhëheqësisë sidomos në këtë periudhë kur në Maqedoni vijnë mërgimtarët.

“Ky është një shembull i keq se si nuk shfrytëzohet interneti e konkretisht nuk azhurnohen ueb-faqet për t’i informuar klientët, në këtë rast pasagjerët, që duan të udhëtojnë këto ditë me aeroplan.” thotë i revoltuar për Portalb, J.B.

Në ueb-faqe nuk ka asnjë informatë të dobishme dhe relevante në lidhje me situatën e krijuar për shkak të mjegullës.

“Aeroporti i Shkupit tregon mos-kujdes duke i mbajtur në terr informativ jo vetëm udhëtarët por edhe të gjithë të interesuarit e tjerë dhe udhëtarët potencial” thotë për Portalb, Z.E.

“Tani që interneti përbën burim kryesor të informacioneve, është shumë zhgënjyese indiferenca dhe ngathtësia e aeroportit të Shkupit për të shfrytëzuar internetin për t’i informuar udhëtarët.” thonë më tej pasagjerë që dëshirojnë të mbeten anonim.

Të kontaktuar nga Portalb, nga aeroporti thanë se ata e bëjnë azhurnimin e ueb faqes dhe mund të shihet se cili fluturim nuk realizohet nëse klikon në listën e fluturimeve. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button