Pleqëria vjen shpejt, si BDI-së viti dy mijë e katërmbëdhjetë

Vëzhgimi i artikulimit politik të votave të qytetarëve shqiptarë për president të shtetit do jetë interesant pasi ende ka gjasa të jenë vendimmarrëse. Sidomos nëse mbahet mend sasia e madhe e dikurshme e votave që ata bënë për zgjedhjen e ish-presidentin Boris Trajkovski në vitin 2000. Vota këto që numëroheshin me qindra mija dhe që më shumë iu kthyen shqiptarëve me bombardimin e civilëve në fshatrat dhe vendbanimet shqiptare me urdhër të tij në vitin 2001. Ose, dhjetëra votat që BDI ia dhuroi me instruksion politik presidentit të tanishëm Ivanov, i cili vazhdimisht i kthen ato duke mos lënë rast pa i injoruar qytetarët shqiptarë, shpesh, me gjithë organizimin e tyre politik BDI-në.

Propozimi i BDI-së për kandidat konsensual për president të shtetit ishte një iniciativë e mirë politike. Atëherë kur kjo u paraqit, parashihja se, në mos tjetër, kjo iniciativë së paku do ndihmon që mendimi i BDI-së të merret seriozisht për atë nëse do shpallen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale që duhet të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm 2014. 

Tani mundësia që me këto zgjedhje të mbahen edhe një palë zgjedhje të parakohshme për deputetë po shkon duke u pakësuar, ndonëse gjasat ende janë të përgjysmuara që kjo të ndodhë dhe mundet që kjo është një prej arsyeve të shtyrjes së kongresit partiak të BDI-së, që duheshe të ndodhte sivjet. Ashtu propozimi për kandidat konsensual po humb në rëndësinë e vet dhe nuk mundet vetvetiu të kthejë peshën politike të votave të BDI-së për president.

Nëse në ndërkohë BDI nuk merr ndonjë qëndrim të ri politik në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe vazhdon vetëm kështu; me apele për bursa studentore dhe krahasime me dasma dhe nuse, do mbaron edhe pa nuse edhe pa bursa studentore pasi rezultati politik në fund të zgjedhjeve presidenciale, nëse mbahen vetëm ato, mund të jetë një përsëritje e zgjedhjes të kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovski. Element ky, i cili  tani jo vetëm që nuk ndien borxh ndaj BDI-së e cila e mban atë kryetar të Shkupit dhe ia zbaton politikat e tija me vota të këshilltarëve të saj, por bile merr guxim që, kur mundet, t’i hakmerret BDI-së. Pasi votat shqiptare në Shkup atëherë ishin kryesisht opozitare dhe komuna e vetme ku kandidati i LSDM-së për Shkup pati epërsi ishte komuna Çair.

BDI-së tani i duhet një qëndrim i ri në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2014. Sidomos pasi ky i njëjti organizim politik, në dy raste, më herët i kishte përmendur të njëjtat. E para me rastin e arsyetimit të votave për kandidat të DPMNE-së në vitin 2009 kur në opinion u paraqit se kjo është një investim që për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2014 të sjellin president shqiptar. E dyta kur arsyetohej për tërheqjen për kryetar të Kuvendit me rastin e negocimit të shumicës së re parlamentare, kur si emër ishte lakuar emri i nënkryetares së BDI-së, z.Teuta Arifi. Atëbotë, tërheqja u bë edhe me pretekstin se në vitin 2014 do mund të kemi kryetar të shtetit, një shqiptar. 

Tani për BDI-në vlen ajo këshilla për të mesëmoshuarit, e të cilëve njerëzit u thonë që mos përmendin pleqërinë se ajo u vjen menjëherë. BDI shumë herë përmendi presidentin e vitit 2014 dhe tani do duhet të dëshmojë se e ka paraparë këtë. Nëse nuk e bënë këtë atëherë BDI vetëm se do i nxjerrë në të drejtë këshilluesit dhe mbamendësit e opinionit ndër vite, të cilët që atëherë prognozonin se nga 2014 do vijë vetëm projekti “Skopje 2014”. Sigurisht as ata nuk mund të parashihnin se nga gjithë ajo përmendje e vitit 2014 nuk do vinte president asnjë filan, por vetëm një Car Dushan. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button