Ancelotti: Barça dhe Atletico, favoritë për titullin

Carlo Ancelotti duket i dorëzuar në luftën për titullin kampion, ndonëse Reali vazhdon t’i ndjekë nga afër Barcelonën e Atletico Madrid, që kryesojnë me pikë të barabarta kampionatin spanjoll pas 17 javëve të para të sezonit.

“Barcelona dhe Atletico kanë bërë një punë shumë të mirë deri tani. Me 5 pikë më shumë se ne, është e qartë se janë këto të dyja skuadrat favorite në La Liga, por unë jam optimist për pjesën e dytë të sezonit. 5 pikë nuk janë vërtet pak dhe në këto momente tabela e klasifikimit flet qartë”.

Nga ana tjetër, tekniku italian foli sërish për situatën e argjentinasit Di Maria, për të cilin ka ende zëra për një largim të mundshëm nga Los Blancos.

“Di Maria e meriton të luajë për këtë skuadër. Edhe të tjerët e meritojnë, por unë nuk mund t’i mbaj të kënaqur të gjithë lojtarët që kam në dispozicion. Kur Di Maria është i përqëndruar, luan shumë mirë. Problemi i konkurrencës është normal në një ekip të madh dhe të gjithë lojtarët ia kanë dalë mbanë deri tani”.

2013-ta për madrilenët përfundoi pozitivisht, me një fitore të vështirë kundër Valencias, por Ancelotti ndërkohë është optimist për 2014-ën. Sipas tij, ekipi vazhdon të luftojë në të gjitha frontet, punon pa pushim dhe cilësia nuk mungon.

Lajme të ngjashme

Back to top button