Teksas, masakra mes bandave të motoçiklistëve, vetëm për një vend parkimi

Policia e Teksasit e dinte se, në Waco do të kishte një grumbullim motoçiklistësh të grupeve rivale, një ngjarje që paralajmëronte trazira, ndaj dhe u përpoq të merrte masa në kohë.

Megjithatë, lëvizjet e saj nuk mjaftuan për të shmangur përplasjet, që duhej të ishin kufizuar te grushtat, por që kaluan te zinxhirët, thikat e në fund edhe tek armët e zjarrit.

Bilanci i përleshjes është 9 të vdekur; 8 në vendngjarje, një në spital, si dhe 18 të plagosur.

Viktimat janë të gjithë motoçiklistë. Personat e tjerë të ndodhur në zonën e dyqaneve, që njihet edhe si tregu qëndror, dhe në lokalet atje rrotull, janë tronditur thellësisht nga ajo çfarë përjetuan.

“Djali është aty brenda, bashkëshorti im është aty brenda. Këta të ‘Banditos’-ave gjithmonë mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Nxjerrin armët si pa të keq, e qëllojnë mbi njerëzit. Kjo ndodhi aty brenda, në kafenè. Askush nuk po bënte diçka të keqe, por ata thjesht deshën që të qëllonin mbi njerëzit. Nuk të lënë të qetë, nuk e di si e kanë hallin”, tha një grua, banore e zonës.

Një dëshmitare okulare, e cituar nga “Waco Tribune-Herald” thotë se vendi i parkimit të automjeteve u kthye praktikisht “në një zonë lufte”. U përdorën shumë armë, mund të ketë pasur rreth 100 të shtëna, thotë ajo.

Klientët dhe stafi i kafenesë “Twin Peaks” kanë hyrë në dhomën frigoriferike për t’u mbrojtur nga plumbat. Sipas një rindërtimi fillestar të ngjarjes, shkak i përplasjes mund të jenë bërë mosmarrëveshjet për një hapësirë parkimi pranë një restoranti.

Në atë, që mediet vendase e përshkruajnë si një betejë të vërtetë, ishin përfshirë 5 banda rivale. Viktimat i përkisnin grupeve “Banditos” dhe “Cossacks”, të cilët njihen si mjaft agresivë./ Top Channel

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button