Asociacioni, “qeveri” me qindra miliona

Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, duket se e ka humbur kuptimin ende pa filluar implementimi i saj. Edhe pse ishte konceptuar si marrëveshje që integron serbët e veriut në institucione të Kosovës dhe ndërprenë financimin e strukturave ilegale nga ana e Serbisë, kjo nuk po ndodh.

Beogradi zyrtar do të vazhdojë t’i financojë edhe më tej serbët e Kosovës në sektorin e kulturës, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës etj. Madje, shuma që Beogradi ndan për serbët në Kosovë është grati sa një e treta e buxhetit të Kosovës.

Për çdo vit Qeveria e Serbisë ka ndarë deri në 500 milionë euro për serbët e veriut, ndërsa mendohet se e njëjta shumë do të shkojë edhe për vitin 2014. Sipas Qeverisë së Serbisë, dallimi i vetëm është se ky fond tash e tutje do të kalojë përmes Asociacionit të Komunave Serbe që do themelohet shumë shpejt me qendër në veri të Mitrovicës dhe jo direkt nga Qeveria.

Themelimi i këtij asociacioni buron nga marrëveshja e 19 prillit. Ky asociacion, sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë status të ngjashëm me atë të asociacionit të komunave të Kosovës (ekzistues), që ka statusin e një organizate joqeveritare (OJQ).

Sidoqoftë, kreu i këtij asociacioni në Kosovë, Sazan Ibrahimi, thotë se asnjë gjë të përbashkët nuk e ka asociacioni i komunave të Kosovës me atë që pritet të ketë ky asociacion në veri.

Kompetencat ekzekutive që pritet t’i ketë asociacioni në veri, ka zgjuar debatet e shumta së fundi përfshirë edhe të ndërkombëtarëve të cilët kanë paralajmëruar rrezikun që mund të çojë deri tek themelimi i një “Republika Srpska”, brenda territorit të Kosovës.

Tani pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, në Bruksel kanë nisur takimet e grupeve punuese mbi themelimin e asociacionit, të cilën do ta udhëheqin komunat me shumicë serbe në Kosovë, ku 9 prej 10 gjithsej që ka Kosova i ka fituar lista “Srpska” e mbështetur direkt prej Beogradit, kreu i së cilës, Krstimir Pantic, kryetar i ri i veriut, ka thënë publikisht se asnjë prej tyre nuk do të punojë për Qeverinë e Kosovës.

Edita Tahiri, e cila po udhëheq grupin teknik të palës kosovare në Bruksel, thotë se janë duke punuar mbi statusin e asociacionit në fjalë dhe këmbëngul që ai nuk do të ketë rol ekzekutiv, siç po pretendon Serbia. /zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button