Haziri: Edukatën time fetare e mora prej 7 vjeç në xhami

Lutfi Haziri thotë se është pjekur si besimtar mysliman në fëmijëri, kur ka shkuar edhe në shkollë edhe në mejtep. Kryetari i sapozgjedhur i Gjilanit flet në një intervistë për Express, thotë për çështjen e shamisë në shkolla se askush nuk guxon të diskriminohet dhe se në Kosovë ka kaluar koha e ateizmit.

Express: Pse jeni angazhuar në mënyrë kaq pasiononte për çështjen e shamisë kur ekziston një urdhëresë administrative që ndalon bartjen e saj në shkolla?

L. Haziri: S’ka të bëjë me pasion e as me angazhim pasionant siç po e quani ju. Kjo ka të bëjë me besim në drejtësi, me besim në mosdiskriminim për shkak të bindjes fetare. Dhe, ky standard i dyfishtë që po përdoret në Kosovë vjen si pasojë e kompleksit për ata që besojnë në Zot. Ata që besojnë si myslimanë, apo ata që besojnë si krishterë. Ajo që neve na barazon është se të gjithë jemi shqiptarë. Tri besimet e tona janë begati. Nuk janë dhe nuk kanë qenë asnjëherë dallim dhe nuk duhet të jetë në të ardhmen. Një kategori e njerëzve, kryesisht në politikë, të qenit mysliman dëshirojnë me reflektu te fëmija. Sipas Kushtetutës së Kosovës shkollimi fillor është obligativ. Në të njëjtën kohë duhet të garantohet barazia para gjithçkaje që në Kosovë garantohet me Ligje dhe me Kushtetutë. Këtu përfshihet edhe mosdiskriminimi kombëtar dhe fetar. Kjo është ajo për të cilën unë besoj sepse unë si i ri vetëm kam qenë i diskriminuar për shkak të etnisë time shqiptare. Kam qenë i diskriminuar në kohën e komunizmit për shkak të besimit tim. Edhe nuk besoj se duhet të lejohet që edhe tash në Kosovën e lirë të bëhen temë dymbëdhjetë raste që janë në Gjilan, apo 50 raste që janë në Kosovë. Kjo çështje duhet të zgjidhet mes familjes, Komunës dhe Ministrisë së Arsimit.

Express: A është më mirë ju me provu me i bindë ata fëmijë dhe familjarët e tyre që të shkojnë në shkollë si të gjithë. A do ta kishit marrë përsipër ju një mision të tillë?

L. Haziri: Është e pandershme me kërku prej njerëzve me ndërru besimin. Bota e internetit na e mundëson që me lexu në të gjitha gjuhët dhe me besu në atë që dëshiron me besu. Ata që kanë lindur me një besim të trashëguar, apo ata që në bazë të vlerësimit e ndërrojnë besimin e vetë është çështje e tyre. Por, është e pandershme me kërku që politikanët apo autoritetet tjera me e ndryshu dhe me kërkuar prej shoqërisë me ndryshu besimin. Ky është gabim edhe më i madhe, ky është gabim edhe më i rëndë që nuk guxon me ndodh. Njerëzit ashtu siç besojnë duhet t’i pranojmë.

Express: Pse për shkak të dy dymbëdhjetë rasteve në Gjilan e pesëdhjetë rasteve në Kosovë duhet të ndryshohet Udhëzimi Administrativ i Ministrisë që e ndalon bartjen e shamisë?

L. Haziri: Udhëzimi Administrativ nuk është më i fuqishëm se Ligji dhe më i fuqishëm se Kushtetuta. Kushtetuta garanton mosdiskriminim. Edhe në Udhëzimin Administrativ duhet të vlejë parimi i mos diskriminimit dhe të ndryshojë formën e vetë. Sepse në Kosovë edhe ndodh që fëmija ortodoks të mësojë sipas kurrikulave të Serbisë, ku mësimi fetar është i obligueshëm. Edhe fëmijët e besimit muslimanë, qofshin në gjuhën turke apo boshnjake, po ashtu, aplikojnë. Ky raport me shumicën shqiptare në Kosovë ka të bëjë me një të drejtë që mund t’iu garantohet fëmijëve. Nuk është uniformë tipike që po mundohen me e plasu. Ka lidhje me besimin e fëmijëve. Besimi i fëmijëve duhet të pranohet ashti siç është dhe e drejta për shkollim duhet të garantohet sepse nuk mund të vazhdojmë të themi se aplikohet kjo formë apo ajo formë për shkak të kësaj natyre. Edhe më tutje po vazhdojmë të aplikojmë diskriminim pozitiv për shumëçka në Kosovë, kur vjen puna te vajzat shqiptare dhe të fëmijët shqiptarë aplikohen standarde të dyfishta.

Express: A po i shkelni ligjet në fuqi dhe Kushtetutën duke folur në favor të shamisë në shkolla?

L. Haziri: Nuk e di pse tash është bërë kjo temë kaq shumë në interes të gazetës, edhe të publikut. Kjo nuk ka të bëjë me shkeljen e ligjeve në Kosovë. Pra, ka të bëjë me të drejtën elementare që ju garantohet njerëzve me pas besimin e vetë, me e ruajt dhe me zhvillu besimin e vetë. Ju po folni se a e shkelë ligjin nëse shkon dikush në xhami ose nëse dikush shkon në kishë. Nuk e shkelë.

Express: A e dini disponimin e gjilanasve për këtë, a është çështja e shamisë edhe vullnet i tyre …në anën tjetër është folur shumë për mënyrën e jetës tuaj keni thënë se jeni roker , konsumoni alkohol dhe në të njëjtën kohë shkoni në xhami dhe jeni fetar. A s’ju duket kjo një kontradiktë apo thjeshtë jeni një politikan që përdorni fenë për arsye populliste?

L. Haziri: Po më vjen keq, përgjigjen adekuate e kam dhënë njëqind herë dhe po e përsërisë edhe tash. Të besuarit në Zot dhe në Familje nuk të bënë të dallueshëm prej të tjerëve. Unë e kam besimin, e kam familjen dhe besojë në Zot, besoj në Familje dhe besoj në Shtet. Kjo është ajo në të cilën unë jam ndërtuar si politikan gjithmonë. Në të njëjtën kohë unë jam qytetar i Kosovës, jam shqiptar dhe kombi jem, etnia ime kombëtare- të qenit shqiptar – është mbi gjithçka. Tendenca e rivalëve të mijë kanë qenë denigruese, jocivilizuese, jo qytetare, jo europiane, jo njerëzore gjatë këtij muaji që kemi kaluar. Sepse unë prej moshës fëmijërore e kam marrë edukatën fetare. Prej moshës shtatë vjeçare kam marrë shkollën e rregullt fetare në familje dhe në xhami. Edhe kjo nuk lidhet me dicka që ka ardhur shumë vonë. Të jesh pjesë e një gjenerate që është zhvillu në Kosovë dhe në Gjilan, të qenit pjesë e asaj që duhet moderne të bën me ec me kohën tënde. Unë kam ec me kohën time, kam ecur me gjeneratën time. Kam ecur me jetën time dhe s’kam qenë asnjëherë peng dhe i ngulfatur nga qëndrimet ortodokse fetare dhe as nga qëndrimet ortodokse politike. Unë e kam ruajtur vijën time të angazhimit tim politik kombëtar dhe besimin tim deri në fund. Kjo më mbanë tërë jetën. Kurrgja nuk ka kontradiktore. Ajo që neve na dallon që kemi kombin mbi të gjitha. E kemi familjen mbi të gjitha dhe besimin në Zot e kemi ruajtur dhe duhet ta ruajmë. Me manipulu me këto tri çështje nga rivalet politikë, me gjuhën më denigruese. Unë nuk e mohoj kurr shenjën time. Askush s’ta ndalon ty as feja as askush me bartë vathë. As nuk ta ndalon me pas tatuazh.

Intervista e plotë mund të lexohet në portalin Express.com /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button