Rusia akuzon Perëndimin për destabilizimin e Maqedonisë

Rusia ka akuzuar “organizatorët perëndimorë” se po tentojnë të nxisin një “revolucion kolor” në Maqedoni, ku tensionet politike po forcohen para tubimit opozitar të paralajmëruar për sot.

“Revolucioni kolor” është një term që shpesh përdoret për të përshkruar kryengritjet e famshme në Bashkimin Sovjetik, përfshi Ukrainën, për të cilën Moska vazhdon ta akuzojë Perëndimin se ka ndërhyrë qëllimisht në politikën e brendshme për të çuar përpara interesat e veta, raporton Reuters.

Në një deklaratë mbi krizën në Maqedoni, ministria e jashtme ruse ka cituar mediat serbe në lidhje me arrestimin e një qytetari malazez të akuzuar se ka ndihmuar ata që Moska i quan “ekstremistë shqiptarë” në Maqedoni.

“Kjo është një dëshmi bindëse… e përpjekjeve për ta çuar vendin në greminën e ‘revolucionit kolor’”, thuhet në këtë deklaratë.

“Kjo është edhe një dëshmi se organizatorët Perëndimorë të skenarëve të tillë katastrofale preferojnë t’i realizojnë ato me duart e të tjerëve”, ka thënë ministria ruse, duke tërhequr paralele me Ukrainën.

Moska akuzon Perëndimin se ka ndihmuar në inskenimin e rrëzimit të presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich, pas protestave masive nëpër rrugë në fillim të vitit 2014. Ai më pas u largua në Rusi.

Rusia shpesh ka kritikuar politikën Perëndimore në Ballkan. Ata janë përkrahës të fuqishëm të serbëve – të dy palët sllavë të besimit të krishterë Ortodoks – në konfliktin e tyre të fundit në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button