Po, protestoj!

Që në fillim të shpalosjes së të ashtuquajturave “bomba” në kuadër të projektit “E vërteta për Maqedoninë” grupi, bashkësia, kolektiviteti që e kishin më rëndë të formojnë një qëndrim dhe shprehin reagim ishin dhe janë shqiptarët. Me këtë mendojmë në reagim kolektiv dhe të organizuar duke lënë anash gjithë ato sharje individuale që mund çdo qytetar shqiptarë të ua kishte kthyer, kat me kat, regjimit dhe partive qeverisëse, por edhe pjesëmarrjet e shumta individuale të shqiptarëve në protesta të shumta kundër regjimit dhe politikave të tija. Shumë prej tyre edhe shumë të suksesshme si studentët, honoraristët dhe protestat e fundit të vazhdueshme kundër qeverisë që po ndodhin në vend. Pati shumë faktorë që kontribuan në këtë nivel të paktë të mosreagimit kolektiv shqiptar në këtë fazë dhe nëse do duhej të veçoheshin disa më të rëndësishme prej tyre ato do ishin:

1) vënia e partive parlamentare shqiptare, asaj në pushtet dhe asaj në opozitë; BDI dhe PDSH, direkt në një vijë me regjimin e Gruevskit dhe kushërinjve të tij, gjë që bënte që shqiptari që protestonte kundër regjimit të dukej dhe të ishte, më së paku, politikisht i papërfaqësuar.

2) nismat politike të paralajmëruara tani frik, lëvizja BESA dhe lëvizja për reforma në PDSH që ndaluan, me dhënie shpresë shqiptarëve se do kenë artikulim politik, që të shprehin reagimin e tyre qytetar ndaj zullumit eklatant që u shpalos në “bomba”. Aq sa shqiptarët duke pritur këto dy nisma mbetën edhe pas romëve të cilët organizuan një marsh para qeverisë kundër krejt fyerjeve që u dëgjuan ndaj tyre.

3) Kompleksiviteti i përfaqësimit politik shqiptar në Maqedoni që bëhet edhe indirekt dhe  nëpërmjet ndonjë organizimi politik, në këtë rast BDI, e që për shqiptarët shpesh mu ata ishin fajtori i parë dhe jo vet Gruevski.

Në ndërkohë ndodhi përleshja apansëz dhe e armatosur në Kumanovë që ndërlikoi ende më shumë raportin mes qytetarëve, bashkësive etnike dhe shtetit. Aq sa kjo ndikoi kryepërçuesi i tanishëm i reagimit qytetar LSDM-ja të shtyjë publikimin e “bombës” së paralajmëruar dhe premtuar për vrasjet dhe gjykimin e rastit tek Liqeni i Smillkovës, për pas protestës së madhe të 17 majit. Disa shqiptarë, me të drejtë, kësaj shtyrjeje iu përgjigjën me refuzim të pjesëmarrjes në këtë protestë të tanishme. Kjo pasi nga pritja e publikimit të kësaj “bombe”, prej më parë, në opinion ishte formuar një percepcion për pjesëmarrje të kushtëzuar në lidhje mu me këtë të vërtetë.

Dhe nëse vlerësohet incidenti i Kumanovës me atë se kush më së shumti fitoi nga ai rast atëherë del se BDI është ajo që shpëtoi si “cucë Piroku” mu nga ai rast. Pasi tani edhe shqiptarët që si kusht pjesëmarrje në protestë qytetare paraqesin vetëm publikimin e të bëmave të shqiptarëve ndaj shqiptarëve as nuk i bashkëngjiten këtij protesti të madh qytetar duke shkuar, fjala bie, ndër dritaren e zëvendës kryeministrit shqiptar në të njëjtën godinë të qeverisë, e as që menjëherë organizojnë diçka të mëvetshme shqiptare për tu hakmarrë dhe shpreh reagimin e tyre për krejt ato sharje, zullum, gjykime të padrejta, mashtrime dhe vjedhje që kishin rastin ti dëgjojnë edhe nga ministrat shqiptarë për qytetarët shqiptarë.

Bile në këtë fazë, përvecc romëve edhe maqedonasit ua kaluan shqiptarëve pasi ata në njërin prej protestave i shkuan Gurevskit edhe deri ndër ballkon të shtëpisë duke shprehur reagimin e tyre qytetar për vjedhjen dhe uzurpimin e shtetit nga vet ai personalisht dhe familjarisht.

Gjykuar pra sipas reagimit kolektiv shqiptarët në këtë protestë të 17 majit mbetën si thuhet: “as me shehër, as me barilevë”, pasi ata nuk do i nxjerre kolektivisht as kyçja në këtë  protestë e PPD-së nga Tetova, as apeli i guximtë i “Vetvendosjes” nga Kosova, e as shumë thirrje tjera qytetare nga Shqipëria. Por, ndoshta kjo do dale edhe më mirë për masovitetin dhe pjesëmarrjen shqiptare në këtë protestë qytetare. Ndoshta kështu dhe tani, secili shqiptar vet edhe më shumë i nxjerr zahmet këtij, të poshtëri, shtet. Unë, po, protestoj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button