Në shkollën e vrasjes, mësuesi u rrah nga nxënësi

Trupi Gjykues i rrethit gjyqësor Durrës me kryetar gjykatësin Fejzo Hysi dhe prokurore Enkeleda Xhengo kanë vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 15- vjeçarin E. V. të akuzuar si vrasës të 16-vjeçarit A.Tota në mjediset e shkollës mekanike “Beqir Çela” në Shkozet. Adoleshenti E.V. akuzohet për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “armëmbajtje pa leje”.Në fillim të seancës gjyqësore e cila u mbajt rreth orës 14 e 20 minuta, pala mbrojtëse, e përfaqësuar nga avokati Gëzim Hima, i kanë kërkuar falje publike familjes së viktimës, Tota dhe e kanë lënë në dorë gjykatës masën e sigurisë.

Prokurorja Xhengo ka sjellë para trupit gjykues të dhënat faktike që akuzojnë drejt për drejtë 15-vjeçarin E.V. si autor të vrasjes së ndodhur, e cila ishte e paramenduar pasi konfliktet mes dy të rinjve kishin që në muajin gusht që ishin intensifikuar. Paraprakisht shkak i konfliktit të gjatë ka qenë një përplasje sup me sup në autobus dhe më pas gjendja është agravuar deri në vrasjen e ndodhur mes klasës së praktikës.Organi i akuzës ka deklaruar para gjykatësit të gjitha provat e grumbulluara dhe mbi 10 dëshmitarë prezentë në vendin e ngjarjes.

Gjatë seancës Xhengo deklaroi se arma e krimit, e fshehur  me parë në bregun e lumit Erzen është sjelle me pas dhe është kyçur në një nga kasetat e ofiçinës së shkollës, pikërisht në dollapin e veglave të punës. Sipas saj, i riu ka marrë armën dhe është kthyer në klasë duke qëlluar drejt 16-vjeçarit A. Tota. Në sallën e gjyqit ndodhej edhe psikologja e cila konfirmoi se i riu është tërësisht i penduar për krimin e kryer. Ajo bëri me dije se i mituri ka nevojë për trajtim psikologjik. Gjykata ka lënë në burg edhe mësuesin e praktikës, i cili në momentin e krimit të rëndë gjendej duke shpjeguar në orën e praktikës. 

Rrahja e mësuesit 

Shkolla ku ka ndodhur ngjarja ishte kthyer në një vatër të infektuar sociale që helmonte të rinjtë. Burime nga shkolla bëjnë me dije se një nga mësuesit e shkollës është rrahur keqas nga nxënësit vetëm 10 ditë më parë. Atij i kanë hedhur batanije mbi kokë dhe e kanë goditur rreth 7-8 nxënës, që nuk i ka njohur, duke bërë kështu të pamundur denoncimin e tyre në polici. 

Shkaku i dhunës 

Autori i vrasjes u edukua si agresor në një terren dhe klimë të ashpër përplasjesh në shkollë. Këtë fakt e shpjegon edhe personi që për vite me radhë ka qenë në rolin e nëndrejtorit të gjimnazit “Olsi Lasku”, Xhevo Gradica, i cili e ka godinën pranë shkollës mekanike. Në rrëfimin e tij në lidhje me dhunën që ushtrohej në ato ambiente, kuptohet se kjo ngjarje e rëndë nuk është thjesht një rast i veçuar, por është e paralajmëruar. Për të kuptuar më mirë se si është kultivuar dhuna në këto ambiente shkollimi profesional si dhe mosmarrjen e masave nga ana e policisë, e cila ka qenë në dijeni të konfliktit mes dy nxënësve, sjellim rrëfimin e nëndrejtorit të shkollës “Olsi Lasku”. Gjimnazin e ndan me shkollën ku ndodhi ngjarje e rëndë, vetëm një ndërtesë dy katëshe që shërben për kafe, restorant dhe berberhane si dhe kioska ku shiten paketa, te dera e institucionit.

Rrëfimi i arsimtarit

Ish nëndrejtori i shkollës “Olsi Lasku”, Xhevo Gradica, që e ka marre emrin nga nje tjetër viktimë e vrarë ne mjediset e shkollës para disa viteve, ka deklaruar se, “çfarë ndodh atje prej vitesh e dinë, jo vetëm ata që janë brenda, jo vetëm ata që janë apo kanë qenë komshinj me ta, jo vetëm punonjësi i policisë (inspektori zonës) dhe grupi gatshëm. E dinë edhe shumë e shumë të tjerë. Ata që janë shkaktarë, bënë mirë që heshtën, bënë mirë që nuk u dukën gjëkundi, bënë mirë që nuk dolën në ekrane televizioni e faqe gazetash. (Nëse do të guxojnë të dalin tani, pasi i kanë shpëtuar prangave, do të ishte vrasje e dytë e adoleshentit.) Më mirë kështu. Pesha mëkatit në këtë rast është e madhe. E madhe për disa arsye që më shtyjnë t’i shkoj logjikës së mësipërme. Janë shumë, shumë, megjithatë po merrem vetëm me tre prej tyre, pasi rasti nuk ka nevojë për të tjera. Së pari, prindërve u është trumbetuar se shkolla është profesionale dhe se nxjerr të rinj shumë të kualifikuar për të cilët tregu është tejet i etur. Vetëm kështu kanë mundur të mbijetojnë. U boshatis një herë e një kohë dhe çfarë bënë. E liberalizuan pranimin, pa konkurs, pa mesatare. Me miq, me shokë, me parti. 

Dhe regjistrimet, këtu e në ndonjë shkollë të tillë si kjo, janë mbyllur para se shkolla të hapë fushatën e regjistrimeve. Çfarë ndodh në tregun e punës me këtë kontigjent nxënësish? Vetëm 5 përqind e tyre përfundojnë në zanatet që marrin në shkollë. Së dyti, u është thënë se shkolla ka status të veçantë dhe se financohet nga shteti dhe jo vetëm kaq, por edhe nga qeveria zvicerane. Shkuan deri atje saqë me serverin qendror, falë një investimi prej 50 mijë euro u është mbushur mendja prindërve se notat dhe frekuentimin e fëmijëve të tyre e ndjekin nga shtëpitë, mjafton të hyhet në portalin e shkollës dhe atje prindi sheh nëse e ka në shkollë djalin dhe se çfarë note mori në çdo lënde ditë pas dite. Por edhe kjo vetëm me të thënë. 

Lekët ikën. Prindërit, jo vetëm që nuk mësuan kurrë online për notat e fëmijëve, por as u njoftuan ndonjëherë për rezultatet dhe frekuentimin. Së treti, prindërve u është thënë se bëhet fjalë për një shkollë me disiplinë shembullore, me rregull dhe administratë e staf pedagogjik në këmbë. Por, çfarë ndodh realisht? Të gjithë, të gjithë e dinë mirë se këtu, në këtë shkollë vetëm për këtë nuk bëhet fjalë. Këtu mësohet cigarja, alkooli, fjalori i pistë, matet forca fizike, provohen thikat e dorezat e boksit, konsolidohen grupazhet e dhunshme, përgatiten kapot…! Këtu është si në xhungël. Të rrish para kësaj shkolle të ngrin gjaku. Çfarë nuk të shohin sytë!” 

Përleshja një ditë para vrasjes, policia e pranishme 

Ngjarja e rëndë e paradites së të mërkurës ka nisur të nxjerrë në skenë detaje të reja. Dy nxënësit, A. T dhe E.V. mësohet se kanë patur përplasje të vazhdueshme mes njëri-tjetrit një ditë para se të ndodhte krimi i rëndë, ata edhe kanë kaluar në konfrontim fizik mes njëri-tjetrit. Nuk dihet se kush e ka lajmëruar policinë, por blutë kanë mbërritur në shkollë dhe kanë marrë dijeni për konfliktin mes dy djemve.

Nuk bëhet me dije veprimet konkrete që kanë kryer punonjësit e policisë së zonës së Shkozetit në ambientet e asaj shkolle, por mësohet se vetë E. V.,teksa bëhej gati të dorëzohej në duart e policisë, i ka treguar të atit edhe për këtë episod.

Babai i 15-vjeçarit ka bërë me përgjegjësi mësuesit dhe policinë të cilët nuk e kanë vënë në dijeni për sherrin mes dy të nxënësve, pasi për të dy djemtë, menjëherë pas krimit u tha se ishin nxënës të mirë. Edhe nga shtëpia e të ndjerit A.T. vijnë të njëjtat akuza të forta për heshtjen që çoi në vrasje. Pritet që këto fakte të hetohen nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe nga Prokuroria. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button