K U M A N O V A

Tmerri ndodhi. Në mes të një lagjeje të stërpopulluar me njerëz të katandisur shumëdimensionalisht, u reprizua Brodeci i rradhës në versionin më ekstrem të tij. Rezultatet janë të dukshme. Fitorja e Pirros gjithashtu: humbje të dhimbshme në jetë njerëzish, lot nënash e fëmijësh të lemerisur, stërkeqje plotësuese raportesh delikate ndëretnike, shkatërrime pa fund me premtime kompensimesh të dëmeve kur të bëjë dushku dardha.

Vershimi gërryes me pasoja të pariparueshme për shëndetin e së ardhmes rodhi me shpejtësi, duke lënë pas vetes PSE-hin e madh të xhehenemit. Ajo që dihet me tamam janë vetëm pasojat – numri i të vrarëve dhe të burgosurve. Të tjerat do të qartësohen ditëve në vijim, kur të mejë pak revolta e arsyeshme gjithpopullore, sidomos: spekulimet, thashethemet, klithmat për linç.

Kjo është arsyeja përse nuk dua ta bëj profetin e gjithdijshëm, gjyqtarin e pagabueshëm, lajmësin e papërgjegjshëm. Ngjarja është tepër e rëndë dhe nuk sqarohet dot me filozofi të sertuara, me ngulje thikash të reja në brinjët e njëri-tjetrit, pa administruar me fund gjenezën e katrahurës dhe fajtorët e saj, të cilët do të dalin sheshit, sepse nuk kanë kah shkojnë përtej kupës së mbushur katran.

Të tillët e dinë se nuk do t’i kursejë kush turpesh e poshtërrimesh të përjetshme, se nuk do t’ua falë kush pisllëqet dhe rreshtimet eventuale në kolona të 5-sta të djallit dhe pobratinëve të tij.

Kaq di për momentin, kaq them me ndërgjegje të pastër lot, gjithnjë duke sfiduar dukuritë sindrom të së keqes, iletin që tim-për-tim na shpie andej nga shkojnë mizat. Këtë po bëj me dekada, duke shkruar versionet e shkrimit të njëjtë/ të gjithkohshëm, thelbin e të cilit e përbejnë faktet vijuese:

  • Nga pavarësimi i kurgjësë, që vetëm shtet nuk mund të quhet, ne gëzojmë statusin e pakicës kombëtare, si romët, egjyptasit, ashkalinjtë…, pavarësisht eufemizmave punë cucllash;
  • Qysh atëherë përfaqësimi ynë institucional në qeveri është dekor – alibi demokracie përpara botës, endërr e bukur për syrin shqiptar me trahomë kronike;
  • I njëjti mekam vazhdon edhe pas konfliktit të vitit 2001, prandaj jemi viktima sopotësh, brodecësh, monstrash…;
  • Me faj të liderëve shqiptarë është instaluar zakoni neveritës i poshtërrimeve të vazhdueshme të qenies sonë, rrita e etnisë me doza të kërmillta për të cilat vendos Gruevski dhe suita e harambashëve të tij anti-indianë;
  • Për shkak të takatit tonë të vockël, energjive të shpërndara, amatorizmit politik, korrupcionit, vjedhjeve, pasurimeve pa pikë djerse, hipotekave, përçarjeve, zënkave dhe arsyeve të tjera që vetëm mund të merren me mend, është pamundësuar ndryshimi substancial i jetës sonë, pa gjasa reale për t’u bërë më mirë edhe në vitet që pasojnë, sepse: kushdo që të vijë në pushtet – pushtet fiktiv do të ketë. Tjetër punë nëse ndodh çudia dhe ndonjë faraon liliputësh pajtohet paqësisht me ndërrimin e neneve kushtetuese në të cilën unë, ti, ne… gëzojmë statusin e kurgjësë.

Këto janë arsyet përse Ali Ahmeti duhet ta braktisë pakthyeshëm qeverinë e Gruevskit. Në fakt, ai është dashur ta bëjë këtë qysh kur e kuptuan edhe sorrat se, për pushtetarët e njëmendtë të vendit të çudirave, shqiptarët janë vetëm indianë dhe divo pleme.

Baktisja e një qeverie të këtillë antipopullore do të hapë udhën e hetimeve të mirëfillta të tragjedisë së Kumanovës, që gjithsesi duhet të jetë kthesa e madhe – vija lamtumirëse ndërmjet asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë.

Në këtë pikë, të gjithë ata që e kanë poshtërruar veten janë të poshtërr edhe për mua, qofshin edhe vëllezërit e mi biologjikë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button