“Shuplaka e Zotit”

Nga: Dr. Shefqet Krasniqi

Këto ditë përjetuam një stres të llojit të vet. Ai ishte stresi i kërkimit të votës nga kandidatë të ndryshëm të cilët, siç i portretizonin nganjëherë mediet, ishin në gjendje të fshinin edhe xhamat e makinave në semaforë të kryeqytetit vetëm për të fituar një votë. Pas një maratone të gjatë e të mundimshme, me balotazhe e gara të pafavorshme, më në fund dolën edhe rezultatet që për shumë kë ishin sa të pa pritshme po aq edhe të pakëndshme.

Natyrisht të pakënaqurit ishin kandidatët e ndryshëm ndërsa i kënaqur u nda vetëm populli, pra votuesit pasi që panë me sy se paskan mundësi dhe potencial të bëjnë ndryshime. Ndaj disa nga të pakënaqurit e quajtën këtë përvojë të hidhur si ‘shuplakë të lehtë’, disa të tjerë u shprehën se ‘jeta është më e gjatë se sa një palë zgjedhje’, të tretët thanë se ‘duhet bërë reforma brenda partisë’, disa të tjerë madje përjetuan shok, u shtangën e nuk nxirrnin dot fjalë nga goja, e disa të tjerë qe besa mbetën me ‘duar në xhepa’ ashtu siç në fakt ‘kërkuan’ të mbesin.

Kështu e ka kjo dynja, herë lartë e herë poshtë, herë gëzim e herë hidhërim, derisa të vije një ditë e madhe ku pas saj ose do ketë gëzim ose hidhërim përgjithmonë; e pak kush po mendon për atë ditë, he medet.

 Është e vërtet se një parti kësaj radhe hëngri një shuplakë, por a thua nga kush? Ajo shuplakë ju erdhi nga lartë dhe besoni se kjo është njëmend ‘shuplakë e lehtë’ në krahasim me atë që do të mund të pasojë në zgjedhjet parlamentare. Po mund të pajtohem me deklaruesin e asaj partie se ‘jeta është më e gjatë sesa një palë zgjedhje’.

Por çka më pas?! Shuplaka ju erdhi nga Ai që sheh dhe dëgjon, nga Ai që hidhërohet kur nënçmohet, fyhet dhe përulët feja e Tij. A mendojnë njerëzit se Zoti i lë rehat gjersa ata sulmojnë aq keq fenë e Tij? Vjellin vrer kundër Tij, bile edhe atë në muajin e shenjtë, bile në prag të Bajramit? A nuk u pata thënë se Zoti është i madh, o njerëz, mos luani me fenë e Tij e të fyeni ndjenjat e besimtarëve se Zoti ju ndëshkon në këtë botë para se të ju ndëshkojë në botën tjetër?

Nuk ia jep Zoti të mbarën atij që e lufton identitetin dhe fenë e vet. Fatkeqësia qëndron pikërisht në atë se disa njerëz në këtë vend po mundohen të ngritën duke fyer e sulmuar fenë e vet, duke u bërë ‘më katolik se Papa’, ani le të vazhdojnë e ta shohim në zgjedhjet parlamentare.

Dikur një personalitet eminent i një partie u patë thënë kolegëve të tij në parlament: ‘a po e shihni se partia jonë po rritet’, e unë tash po i them atij ‘A po e shihni se partia juaj po bie, ndërsa ndikimi i muslimanëve po rritet!

Duhet të jemi real e ta themi të vërtetën, nuk mund të shkohet para me parti e me partiak që asgjë tjetër nuk dinë përveç të fyejnë, ofendojnë e të shprehin mllefin ndaj bashkëqytetarëve dhe bashkëfetarëve të tyre vetëm pse kanë një çikë pushtet dhe kinse po u shkon fjala në parlament. Ndaj kur njeri prej tyre deklaroi se ‘duhet bërë reforma brenda partisë’ menjëherë më shkoi mendja se po vallahi ka nevojë të bëhen reforma, madje reforma e parë që ka nevojë të bëhet është të përzihen dështakët dhe ofenduesit publik të besimtarëve nga partia ngase sa të jenë ata brenda në parti, aty nuk do të ketë berqet asnjëherë. Pastaj që të gjithë partiakët, pushtet e opozitë, t’i kthehen realitetit e të shkelin në tokë të bukës se përndryshe populli di t’i ndëshkojë madje edhe më keq se kaq.

Krahas këtyre partiakëve pati edhe të atillë që me ‘duar në xhepa’ i sfidonin të gjitha partitë, madje edhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, ku përkundër partive dhe kandidatëve tjerë, këta të fundit nuk u ‘lagën fare’ as për t’ua bërë një vizitë apo të kërkojnë votën e tyre. Pikërisht ishin këta që dërguan ekskavator për të rrëzuar xhamitë –shtëpitë e Zotit në tokë- faltoret e muslimanëve. Ishin ata që u tallën me popullin e vet, si në kohën e Sheshelit, se mund ta ‘blini Grandin që tu japim leje për Xhami’. Eh, Zoti është i madh, Ai sheh dhe dëgjon. Si mendon të ngadhënjejë një “lider” që lëndon zemrat e muslimanëve, kur muslimanët lutën natën kundër tij.

Si mund të ngadhënjejë një lider që pranon anëtarë të përzënë nga partitë e tyre ku kanë ‘shërbyer’ me vite dhe janë përzënë pikërisht për shkaqe rebelimi. Si duket ‘rrogëtare’ të këtilla pa vlera e pa ideale, sjellin me vete vetëm fat të zi dhe dështime, pasi muslimanët u lutën gjatë e gjatë mu në pikë të natës, ndaj partia që e përzuri u afrua me muslimanët dhe u ngritë, ndërsa partia që e pranoi dëshironte t’i merrte votën muslimanëve me duar në xhepa dhe ashtu ndodhi, muslimanët e bojkotuan dhe ajo mbeti me duar në xhepa.  

 Më kujtohet kur edhe unë përgojohesha gjatë zgjedhjeve të 3 Nëntorit se ‘deklaratat e Albin Kurtit për tu ofruar tek muslimanët dhe përkrahja e Shefqetit bënë ata të pësojnë në vota”, ndërsa tani a thua vallë çfarë do të thonë se Shefqeti u shndërrua në ‘Supershefqet’ dhe i bëri ata të fitojnë. Ani pse nuk morën komuna tjera, megjithatë, ata morën zemrën e Kosovës e të tjerët i lanë me ‘duar në xhepa’. Pra a e shihni, muslimanët paskan rol e po ashtu edhe hoxhallarët e tyre, pavarësisht si i etiketoni ata? Jam i bindur se përkrahja nuk do të mungojë ndaj askujt që është i sinqertë me muslimanët dhe nuk u bënë dyfytyrësi atyre.

Ndaj, nuk ka dyshim se muslimanët ia dhanë hakun e merituar dhe i ndëshkuan ata që kurrë nuk menduan për të drejtat me themelore të tyre, le t’i rrënojnë tash xhamitë. Po të kishte diku moral politik mendoj se shumë prej tyre do të duhej të jepnin dorëheqje sa më parë. Populli  është vetëdijesuar, ai nuk duron më zullum e padrejtësi ndaj le të mbledhin mend edhe ata që kanë manipuluar me shaminë, këtu e sa vite, se zgjedhjet nacionale nuk janë larg.

 Unë mendoj se zgjedhjet e një dhjetorit kanë ofruar një grup mesazhesh, ndër to kisha veçuar:

-Nuk ka ‘përgjithmonë shpinë viçi’- siç thotë populli, nuk ka pushtet të përhershëm andaj le ti kenë mend e të sillen mirë me qiellin dhe me tokën, me Zotin lartë në qiell e me njerëzit poshtë në tokë.

-Kjo dynja herë të ngritë lartë në qiell, e herë të shtrinë për tokë, të bënë pishman që je lindur, andaj kujdes.

-Këto zgjedhje dëshmuan se muslimanët patën ndikim dukshëm më të madh kësaj radhe për të bërë ndryshime. Ata kë e përkrahen e ngritën dhe kë e kundërshtuan e lanë me duar në xhepa.

 -Pata deklaruar disa herë më parë se pa përkrahjen e muslimanëve në krye me hoxhallarët nuk ka pushtet të sigurt. Dhe kjo sa po vije e po vërtetohet më shumë. Ne nuk jemi kundër asnjë partie, e as individi, për arsye personale por kundër politikave dhe qëndrimeve të disa partive apo partiakëve që fabrikonin dhe po fabrikojnë urrejtje dhe fobi në adresë të komunitetit musliman, mu ata dëmtuan imazhin e partive të veta më shumë se çdokush. Koha po dëshmon se sa më afër popullit, aq më gjatë pushtetin.

-Ky popull është vetëdijesuar ai po di edhe të ndëshkojë, ka kaluar koha kur me një fjalim ‘magjik’ mashtroheshin e përvetësoheshin mijëra qytetarë.

-Le të shpresojmë se një ditë populli do ta thotë fjalën e vet, madje edhe për fenë e vet.

Zoti na qoftë në hair të gjithëve dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

(Qendrimet ne kete opinion jane personale te Dr Shefqet Krasniqt)

Lajme të ngjashme

Back to top button