Di Maria në Janar i bashkohet Monacos

Angel Di Maria mund të jetë dhurata e Vitit të Ri për Monacon. Nuk janë thjesht zëra në prag të merkatos së dimrit, por përkundrazi bëhet fjalë për negociata konkrete dhe madje të avancuara mes Realit të Madridit dhe klubit nga Principata.

Lajmin e japin të sigurtë dy prej mediave më prestigjioze në Spanjë, Marca dhe AS, që njihen për lidhjet e afërta që kanë me Los Blancos.

Klauzola e argjentinasit është në shifrën e 200 milionë Eurove, por mes palëve po negociohet për një çmim që luhatet mes 35 dhe 40 milionë Eurove. Edhe vetë lojtari duket se është i gatshëm ta pranojë këtë ndryshim në karrierën e tij, transmeton Supersport.

Me ardhjen e Gareth Bale te Reali i Madridit dhe sidomos tani që uellsiani është në formë dhe titullar pothuajse në çdo ndeshje, Di Maria është konvertuar në një aktor jo protagonist për madrilenët.

Me afrimin e Botërorit të Brazilit, edhe numri 22 i Realit është logjike që nuk mund ta pranojë qëndrimin e gjatë në stol dhe mendohet se ka dhënë OK për transferimin.

Te Monaco, të paktën i jepet garanci se do të luajë më shumë dhe madje edhe pagën do ta ketë më të lartë se ajo që merr aktualisht në Madrid. Gjithçka duket në rrugë të mbarë për këtë operacion të bujshëm të merkatos së Janarit. I vetmi që mund të bëjë diçka për ta ndalur është trajneri Carlo Ancelotti.

Lajme të ngjashme

Back to top button