Milani i kërkon 2.3 milionë euro kompanisë “Taçi Oil”

“Taçi Oil” ka pezulluar aktivitetin e saj që nga dhjetori 2014, kur biznesmeni u përfshi në blerjen e ekipit të Parmës.

Ambiciet e Rezart Taçit për të pasur një vend nderi në futbollin italian rreth katër vjet më parë, i kanë hapur jo pak telashe atij dhe kompanisë së tij, Taçi Oil, që deri dy vjet më parë ishte një nga aktorët kryesorë të tregut të naftës. Krahas problemeve në tregun e brendshëm, Taçi Oil duhet të përballet dhe me kërkesat për kthimin e milionave euro te partnerët italianë të dikurshëm.

Vendimi i gjykatës

Shoqëria përmbarimore “Strati Bailiff’s Service” sh.p.k, ka kërkuar vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi aktivet e regjistruara të palës debitore, shoqëria “Taçi Oil International Trading & Supply Company”. Kërkesa është bërë në gjykatë më 22 prill 2015 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pak ditë më parë, pikërisht më 7 maj.

Sipas shkresës së drejtuar QKR-së dhe për dijeni kompanisë, urdhri për sekuestro konservative është marrë pasi shoqëria “Taçi Oil International Trading & Supply Company”, sipas një vendimi të Gjykatës së Milanos (datë 21.08.2013), i njohur dhe nga gjykata shqiptare duhet t’i paguajë shoqërisë “Infront Italy” shumën prej 2.3 milionë euro, si dhe shpenzime të tjera për procedurë dhe interesa. Kompania Infront Italy, sipas faqes së saj në internet është lider në marketingun ndërkombëtar sportiv.

Pezullimi i “Taçi Oil”

Ndërkohë, “Taçi Oil International Trading & Supply Company” rezulton në QKR me status të pezulluar, me kërkesë të saj, që nga dhjetori i vitit 2014. “Taçi Oil” përfaqëson falimentin më të madh të sektorit të naftës. Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, Rezar Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj. Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e “Albpetrol” në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar. Pamundësitë për të shlyer në kohë kreditë çuan në një varg sekuestrosh që sollën edhe falimentin e grupit.

Financimi te Milani

Emri i Rezar Taçit dhe presidentit të kompanisë “Infront”, që sot kërkon kthimin e borxhit, shfaqen në mediat italiane pak vjet më parë, në vitin 2011, kur A. C. Milan dhe Rezar Taçi, që në atë kohë cilësohej nga mediat italiane si president i kompanisë më të madhe të naftës në Shqipëri, nënshkruan një marrëveshje sponsorizimi me A.C. Milan për sezonin 2011 – 2012, në cilësinë e Premium Sponsor. Kjo marrëveshje e rëndësishme, sipas mediave italiane, e arritur në sajë të ndërmjetësimit të “Infront”, këshilltari zyrtar që përkrah skuadrën në kërkimin, seleksonimin dhe administrimin e sponsorëve, u zyrtarizua në selinë e Milan në prani të Adriano Galliani, zëvendëspresident i Klubit, Rezar Taçi, president i “Taçi Oil” dhe Marco Bogarelli, President i “Infront Italy”.

Rasti i Parmës

Po ashtu, prokuroria italiane ka hapur një çështje kundër klubit të Parmës dhe administratorëve të saj të fundit, të akuzuar të gjithë për shkelje fiskale gjatë periudhës kur kanë qenë në detyrë. “Guardia Di Finanza” ka filluar punë prej muajsh për analizimin e bilanceve të klubit, jo vetëm ato të ratifikuara nga klubi më 27 dhjetor, por edhe paraardhësit, për të kuptuar se sa shkelje financiare janë bërë që sollën në falimentimin e skuadrës. Sipas shifrave paraprake bëhet fjalë për 16.7 milionë euro taksa të papaguara, si pasojë e mospagimit të rrogave të futbollistëve apo palëve të treta të cilat po dalin në skenë gjatë këtyre ditëve. Personazhi kryesor i këtij hetimi është ish-presidenti Tomaso Girardi, por gjithashtu rrezikojnë edhe personat firmëtarë të “Dastraso Holdings Ltd” të drejtuar nga Rezar Taçi, i cili, personalisht, ka shmangur të vendosë emrin e tij në letrat e blerjes, por edhe Presidenti aktual, Xhiampietro Manenti. Taçi është përfshirë direkt në këtë çështje vetëm nga Girardi, i cili e ka vlerësuar si fajtorin kryesor të kësaj situate dhe ka vendosur të bëjë kallëzim penal kundër biznesmenit shqiptar për “shkelje kontrate dhe mashtrim”./ Gazeta Shqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button