Kosovë, deputetët me 4000 euro të ardhura

Përpos pagës mujore bazë prej mbi 1400 euro, një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës marrin edhe mijëra euro të tjera për pjesëmarrje në seancë edhe nëpër komisione parlamentare.

Tre ligjvënësit më të paguar në Kuvendin e Kosovës, pa llogaritur pagën mujore janë: Deputeti i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, i cili vetëm gjatë sesionit pranveror ka marrë 3840 euro, për pjesëmarrje në seanca dhe për pjesëmarrje në komisione parlamentare, Armend Zemaj nga LDK-ja, i cili për periudhën në fjalë ka marrë 3805 euro edhe deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu, për praninë në seanca dhe në komisione të ndryshme parlamentare, ka marrë ekstra edhe 3726 euro.

Pak më “ligshtë” sesa kolegia e tij është paguar deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, i cili, për sesionin pranveror ka marrë mëditje prej 3690 eurove.

Deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demolli, ka marrë mëditje prej 3632 eurove, duke u bërë kështu ligjvënësi i pestë më i paguar në Kuvendin e Kosovës.

Pas Demollit radhitet deputetja e Aleancës për Kosovë të Re, Sevdije Lama, mëditjet e së cilës gjatë sesionit të kaluar ka arritur shumën prej 3499 eurove.

Me vetëm pesë euro më pak sesa deputetja Lama është paguar deputeti i VAKAT-it, Rasim Demiri, i cili ka marrë 3494 euro.
Edhe deputetët serb nuk janë keq në raport me mëditjet. Anëtari i Partisë Liberale Serbe

Goran Marinkoviq, i cili, sikurse kolegët e tij ligjvënës, vetëm mëditje gjatë periudhës janar-gusht 2013 ka marrë 3488 euro.
Ai pasohet nga deputeti i Iniciativës Qytetare të Gorës, Murselj Haljilji, mëditja e të cilit ka arritur në 3444 euro.

Deputetja e tetë më e paguar është anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirie Kajtazi, e cila nga pjesëmarrja në seanca plenare të Kuvendit të Kosovës dhe në komisione parlamentare është shpërblyer me 3420 euro.

Ndërsa, ligjvënësja e nëntë për nga pagesa është anëtarja tjetër e partisë Vakat, Duda Balje, të ardhurat e saj vetëm nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare kanë arritur shumën prej 3390 eurove.

I fundit në “top-listën” prej dhjetë deputetëve më të paguar është deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ali Sadriu, i cili mëditje ka marrë “vetëm” 3353 euro.

Të gjitha këto të dhëna “Zëri” i ka siguruar nga menaxhmenti i Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, secili nga këta dhjetë deputetë shumat e majme i ka vetëm si mëditje, pa e llogaritur pagën bazë të secilit, e cila sillet rreth 1300 euro për muaj, ose 10400 për tetë muaj, gjegjësisht për sesionin pranveror. (Zëri)

Lajme të ngjashme

Back to top button