Sauditët, të zhgënjyer nga SHBA

John Kerry u përpoq t’i minimizonte raportet në media për mosmarrëveshje të thella mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, duke mos u dhënë shumë rëndësi.

Ai u shpreh i bindur se dy vendet kanë të njëjtin qëndrim, e madje në deklaratat për shtyp të Departamentit të Shtetit theksohet fakti që kryediplomati amerikan, në Paris, u takua edhe me ministrin e Jashtëm saudit, Saud al-Faisal.

Kerry e bëri të qartë në disa raste se Uashingtoni do të vazhdojë të konsultohet me Arabinë Saudite, siç ka bërë përherë, për çështje me interes të përbashkët.

Zyrtarët sauditë kanë shprehur pakënaqësi ndaj Shteteve të Bashkuara, që nuk filluan goditjen me raketa kundër qeverisë së Bashar al-Assad, për shkak të përdorimit të armëve kimike. Irritimi i Rijadit u bë i qartë me vendimin e tij për të refuzuar vendin e shumëlakmuar të anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqetësim për sauditët përbën edhe drejtimi që po marrin bisedimet bërthamore dhe për mundësinë e një pajtimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Në të vërtetë, shenjat e afrimit të Obamës me Ruhanin dhe fakti që diplomacia amerikane po i jep Bashar al-Assad-it mundësinë të shmangë luftën përmes dorëzimit të armëve kimike, e kanë alarmuar dhe zhgënjyer Arabinë Saudite.

Në mesin e shtatorit, kur Ruhani po lëshonte sinjalet e para të hapjes ndaj Perëndimit, ish-diplomati saudit, Turki al-Faisal, deklaroi në një forum të Mbrojtjes në Londër, se liderët iranianë duhet të gjykohen për krime lufte, për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë Assad-it.

“I gjithë teatri ndërkombëtar për kontrollin e arsenalit kimik të Assad-it do të na bënte për të qeshur, po të mos ishte kaq pabesisht i projektuar, jo vetëm për t’i dhënë zotit Obama mundësinë të tërhiqej me nder, por edhe për të ndihmuar presidentin sirian të masakrojë popullin e tij”, do të shprehej pa doreza Faisal.

Sipas ekspertëve, hapja e çdo kanali diplomatik mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përbën shqetësim jo vetëm për sauditët, por edhe për vendet e tjera arabe të Gjirit Persik, të cilët ndihen të pafuqishëm të ndërhyjnë në një proces, që po merr udhë e ku fjala e tyre nuk peshon.(TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button