Diplomacia e cubave!

Për të gjitha misionet diplomatike të Kosovës, nga buxheti i Kosovës për çdo vit ndahen nga 15 milionë euro. Por përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës jo vetëm dështuan që  t’ia përmirësojnë imazhin vendit në arenën ndërkombëtare, mirëpo disa diplomatë me veprimet e tyre e rrënuan edhe më shumë një imazh të tillë. Vetëm po t’i kujtojmë skandalet që krijuan këta diplomatë nëpër vende të ndryshme të botë, mjafton të shihet se çfarë njerëz jokredibil janë dërguar në këto 7 vite pavarësi nga PDK-ja, e cila është në mandatin e saj të 3 qeverisës! Përveç se prodhuan me dhjetëra skandale dhe ia prishën imazhin Kosovës në botë, këta diplomatë për 7 vite pavarësi, nuk ishin në gjendje ta sjellin një investitor të jashtëm, për të investuar në Kosovë. Në vend se nëpër ambasada dhe konsullata të dërgohen atashe ekonomik (njohës të çështjeve ekonomike), për të cilët Kosova ka nevojë, pasi kemi probleme të mëdha ekonomike dhe na duhen investime të jashtme, ato u mbushën me familjarë dhe militantë të tyre, e shumica prej tyre pa qenë njohës të asnjë fushe.
Për ta përfaqësuar Kosovën në cilësinë e ambasadorit në qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare, nuk mjafton të kesh karrierë të pasur profesionale apo të jesh njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare. Mjafton, preferenca politike që të merret “viza” për t’u emëruar ambasador i Kosovës në ndonjë shtet.
Gjatë këtyre dy mandateve të udhëhequra nga PDK-ja, misionet diplomatike të Kosovës u shndërruan në “çerdhe” për punësimin e familjarëve, grave, burrave, motrave, vëllezërve, dajëve, tezeve, hallave, axhallarëve,  kushërinjëve, balldëskave, asistent/e -ve, sekretareshave dhe militantëve partiakë, duke e anashkaluar kështu dërgimin e personave më kompetentë në Ambasada! Mjafton të vizitohet faqja zyrtare e Ministrisë së Jashtme, dhe të shihen emrat e familjarëve të ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PDK-së, të akomoduar në Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës nëpër botë. Ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, u bën ”strehë” e lloj-lloj injoranti dhe analfabeti! Madje shumë prej diplomatëve kosovarë u dërguan në vendet e ndryshme të BE-së pa qenë në gjendje të komunikojnë në gjuhën angleze. Por kulmi i marrëzisë nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ishte emërimi i Ramiz Lladrovcit ambasador i Kosovës në Tiranë, një politikan me imazh të cubit! Emërimi i tij në postin e ambasadorit, nuk ishte fyerje e rëndë vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për shtetin e Shqipërisë. Këtu shihet se në çfarë gjendje të rëndë është diplomacia e Kosovës! Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 muaj prej formimit të qeverisë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në këtë fushë të rëndësishme për shtetin e Kosovës, nuk ka lëvizur fare për t’i larguar pjesën më të madhe të këtyre diplomatëve skandaloz dhe jo të dobishëm, por vetëm po ecë rrugës së bashkëpartiakut të tij Enver Hoxhaj, i cili edhe është fajtori kryesor për shkatërrimin e diplomacisë kosovare! Deri më tani asnjë ambasador dhe diplomatë nuk u zëvendësua, edhe pse imazhi i Kosovës u dëmtua rëndë po nga këta diplomatë!
Madje brenda PDK-së po bëhet luftë e madhe, duke ndikuar edhe në komisionin për politikë të jashtme, e cila për habi po udhëhiqet m’u nga ai që dëmtoi diplomacinë e Kosovës, në mënyrë që t’i dërgojnë diplomatë ata që ju shkojnë për shtati interesave të tyre! Nuk bën të çuditemi kur nesër në një nga Ambasadat e Kosovës, ta shohim ambasador Enver Hasanin ”babën”, njeriun më të kompromentuar në Kosovë, i cili me zell të madhë i shërbeu PDK-së. Shpërblimi në postin e ambasadorit, do t’i bëhet atij për shkak se e la Kosovën 6 muaj pa Qeveri dhe falë tij sot PDK-ja është në pushtet. Ndërsa e vetmja gjë që pinë ujë është përfaqësimi i kësaj partie në Komisionin për Punë të Jashtme, të cilët tashmë kanë bërë një përvojë politike!

Lajme të ngjashme

Back to top button