Kur injoranca blihet me para

Për të mos u bërë banal me të njëjtin titull (lexo: Përdhosja e gjuhës shqipe 3) si dy artikujt e përparmë lidhur me temën që do të trajtoj kësaj radhe, vendosa ta quaj pak më ndryshe këtë shkrim, natyrisht jo dhe pa arsye. 

Më rastisi para disa ditësh të kem në duar një broshurë me titull Kid’s Planet, e cila ishte destinuar për më të vegjlit, me ç’rast ata duhej të lexonin pak nga ajo që ofrohej në mënyrë informative në këtë broshurë si dhe të merren me kafshët e ndryshme në botë dhe të krijojnë një mini-atlas të habitateve të atyre kafshëve, që po ashtu nënkupton edhe njohje me lëndën e gjeografisë. Pra, një përzierje e lezetshme e shumë lëmenjve në një broshurë shumë-ngjyrëshe, duke filluar nga gjuha amtare e fëmijëve, përmes kafshëve, d.m.th. zoologjisë e deri te gjeografia.  Kur kësaj t’i shtohet edhe qëllimi për të cilin ishte dedikuar ajo broshurë, gjithçka duket e përkryer. Pra, bëhej fjalë për Shoqatën për të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve me aftësi të kufizuara “Dallëndyshja” (“Lastovica”, në maqedonisht), e cila nga çmimi përfundimtar i shitjes së kësaj broshure, që ishte 100 denarë, merrte një përqindje të caktuar për nevojat, në dukje, qëllimmira të saj.  Të tjerat nuk dihet se ku shkojnë, mbasi hartuesit, dizajnuesit dhe botuesit e kësaj broshure ishin ndonjë fantom-firmë pa adresë, telefon, ueb faqe, etj. 
Si do që të jetë, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të merret me shtëpinë botuese e as me shoqatën e sipër-përmendur, por me diçka që drejtpërdrejt i prek konsumatorët, d.m.th. blerësit, edhe atë posaçërisht shqiptarë, e kësaj broshure, e që është përdhosja deri në pafundësi e gjuhës shqipe si dhe faktet jo të sakta gjeografike në të.

Duke nisur nga vetë kopertina e broshurës Kid’s Planet, do të vëreni një varg gabimesh gjuhësore, respektivisht morfologjike, sintaksore, dhe të tjera që fare nuk përkojnë me normat standarde të gjuhës së sotme shqipe (po as edhe me atë antike, ma merr mendja). 

Më tej, në faqet e mesme të broshurës shfaqet harta e botës ku janë shënuar kontinentet, e ku në asnjë çast nuk është menduar për lakimin e emrit nëpër rasa e as për trajtat e emrit në shqip; d.m.th. disa prej atyre emrave i keni në trajtën e shquar, si p.sh. Amerika e Veriut, Afrika, Azia dhe të tjerat në trajtën e pashquar edhe atë në rasën emërore, respektivisht kallëzore, si p.sh. Evropë dhe Amerikën e Jugut. Ajo që e bën akoma më tragjike tërë situatën, është Antarktika në vend të Antarktikut dhe kulmi i injorancës (nuk e pranoj arsyetimin se mund të ketë qenë gabim shtypi, sepse në raste të këtilla nuk tolerohen as gabimet e shtypit) është emërtimi i kontinentit të Australisë, si Austria. 

Kjo, sipas të drejtës ndërkombëtare do të kishte nënkuptuar edhe pretendime territoriale ndaj një vendi tjetër, paramendoni! Në të njëjtën faqe vazhdojnë gabimet gjuhësore në fjalinë ku jepen udhëzimet she çfarë duhet bërë në hartë.

Në kopertinën e pasme të kësaj broshure “të famshme” vazhdon golgota e gjuhës shqipe, por për këtë as që e kam ndërmend të komentoj. Thjeshtë lexojeni vetë dhe përqendrohuni te pjesët e rrethuara me të bardhë.

Kësaj i thonë të nderuar, “duke dashur të vë vetull, nxjerr sy”. Dëmi që bëhet nga blerja e materialeve të këtilla është shumë më i madh se dobia prej tyre. Përveç nxjerrjes së 100 denarëve nga xhepi edhe ashtu i vobektë i shqiptarëve, sjellja e një broshure të këtillë në shtëpi shkakton dëme edhe më të mëdha mbasi promovon kundërvlerën, injorancën, hipokrizinë dhe në fund të fundit nënçmimin e një gjuhe a shkence, e me këtë edhe të një populli në tërësi. 
Pavarësisht nëse e tërë kjo është bërë me ndihmën e Google translate-it apo përmes dikujt që pretendon se njeh gjuhën shqipe, arsyetimet (e çfarëdo lloji qofshin ato) janë të papranueshme bile edhe irrituese në tërë këtë përtallje me vlerat e dikujt tjetër. 

Lajme të ngjashme

Back to top button