Tetovarët të revoltuar për restrikcionet e reja të ujit

Qytetarët shprehen të revoltuar nga vendimi i fundit i komunës së Tetovës për restrikcione të ujit të cilat do të fillojnë nga e hëna. Nga ora 1 e mëngjesit deri në ora 4, i gjithë qyteti nuk do të ketë ujë, është kjo masa e re e Komunës në këtë qytet për të zbutur problemin e mungesës së ujit të pijshëm.

“Duhet ta rregullojnë ujësjellësin e jo të merren me restrikcione” thotë Arjeta Z nga lagjja e Drenovecit.

“Jemi mësuar më, ne tërë kohën nuk kemi pasur ujë, më shumë se dhjetë vite, e tani restrikcioni nuk do të ndryshojë gjë” shprehet Mirushe H nga Reçica e madhe.

Nga ardhja në pushtet e kryetares së re Teuta Arifi u premtua që Komuna e Tetovës do të bëjë revizion për keqpërdorimet e ndërtimit të ujësjellësit të ri projekt që e ka udhëhequr garnitura qeverisëse e kaluar në krye me Sadi Bexhetin. 

Nga kjo Komunë gjithashtu lajmëruan se do të bëjnë një projekt të ri për riparimin e ujësjellësit, problemit disa-dekadësh tetovar.

Por Komuna ende nuk ka shpallur revizioni e as projektin e ri.  Portalb u interesua në kabinetin e Arifit, por përgjigje ende nuk kemi. 

Ajo që dihet është se sipas paralajmërimeve në buxhetin e Qeverisë për vitin 2014 janë paraparë 650.000 euro  për këtë projekt, ndërsa Komuna duhet të jep 1.450.000 euro shtesë për përfundimin e plotë të sistemit të furnizimit me ujë.

“Ne nuk kemi kompetenca për këtë projekt. Ne vetëm bëjmë menaxhimin e ujit. Restrikcionet fillojnë të hënën” thotë për Portalb, drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka.

“Edhe një restrikcion tjetër?! Nuk e kam ditur, po kjo është katastrofë. Nuk kemi ujë tërë verës, tani edhe dimrit. Në qytetin rrëzë Sharrit mos kemi ujë, kjo është absurd” thotë Fatime Sh nga lagjja Potok.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button