Nxënësit shqiptarë nga Gjermania për vizitë ne shkollën e Zajazit

“Më afër vendlindjes”, është motoja që sjellë nxënësit shqiptarë të rrethinës së Dortmunit në mesin e nxënësve të Zajazit. 

Nxënës dhe mësues të shkollës shqipe “Haupschule” nga Arnsbergu kanë vizituar shkollën “Rexhë Rushit Zajazi” në Zajaz. “Më afër vendlindjes”, është motoja që sjellë nxënësit shqiptarë të rrethinës së Dortmunit në mesin e nxënësve të Zajazit. 

Përveç nxënësve dhe mësuesve nga Gjermania, prezentë ishin edhe përfaqësuesja e qeverisë së qarkut të Dortmundit, Scholz, mësues gjerman dhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës së Kosovës. 

Mysafirët u pritën në shkollën e qendrore të Zajazit, në ambient solemn me këngë dhe valle popullore kurse për ta u shtrua edhe një drekë, kryesisht, me ushqime tradicionale të rrethit të Zajazit të përgatitur nga të punësuarit e shkollës nikoqire dhe prindërit e nxënësve të kësaj shkolle.

Drejtori i shkollës “Rexhë Rushit Zajazi”, Sulejman Dervishi tha: “Kjo është iniciativë e mësuesit shqiptar Kemal Qallaku, të shkollës shqipe në Dortmund, që mua më pëlqen ta quaj “mësuesit të popullit” i cili bën një punë shumë të vlefshme për ato nxënës. Për fat të mirë, pjesë e këtij projekti është edhe shkolla jonë. Me përkrahjen e prindërve të këtyre nxënësve dhe me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës së Kosovës, ne realizojmë një projekt që dita ditës bëhet më madhështorë dhe më i rëndësishëm.

Ne edhe në të kaluarën kemi realizuar takime, vizita dhe ekskursione të përbashkëta. Këto vizita janë më se të domosdoshme për nxënësit që jetojnë në diasporë me qëllim që të njihen mirë me kulturën e të gjithë trevave shqiptare”.

Kemal Qallaku, iniciatori i këtij bashkëpunimi tha që kjo nuk është hera e parë që realizohen vizita të këtilla dhe pasi shprehet tejet i kënaqur nga mikpritja, theksoi që nuk do të jetë as e fundit dhe se projektet e përbashkëta të këtyre shkollave tani sa kanë filluar.

“Bëhet fjalë për një shkollë zyrtare të mësimit të gjuhës shqipe në Dortmund të Gjermanisë. Aty realizojmë lëndën “Gjuha dhe letërsia shqipe” me çka nxënësit mësojnë të shkruajnë dhe të flasin gjuhën standarde shqipe sepse kanë mungesë në këtë drejtim”, tha Qallaku.

Lajme të ngjashme

Back to top button