Gostivar, u diskutua për dyshimet e prindërve pse u fotografuan fëmijët e tyre

Pas paraqitjes së shprehjes së shqetësimit nga disa prindër dhe mësimdhënës rreth fotografimit të nxënësve në disa shkolla të komunës së Gostivarit nga ana një kompanie gjermane, me iniciativë të Sektorit të Arsimit u realizua takim me drejtorët e disa prej shkollave dhe përfaqësuesve të “Foto Raabe”, të udhëhequr nga projekt-menaxheri për Maqedoni, Mazar Aburamani për të zbardhur çdo dilemë të ngritur nga nxënësit dhe prindërit rreth projektit në fjalë.

Fotografimi i nxënësve nga “Foto Raabe” është bërë duke u bazuar në memorandumin e nënshkruar ndërmjet kësaj kompanie dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë.

Midis Komunës dhe produksionit nuk ka pasur asnjë keqkuptim. Ministria nuk mund të nënshkruajë memorandum me një produksion mafioz, ndërsa ne kemi ardhur hap pas hapi deri te shkollat, thekson menaxheri i “Foto Raabe” për Maqedoni, Mazar Abduramani.

Projekti i tillë ka përfunduar dhe është realizuar edhe në komunën e Strugës, ku për dallim prej komunës së Gostivarit ku si bazë është marrë memorandumi midis Ministrisë së Arsimit dhe “Foto Raabe”, atje bashkëpunimi është bërë ndërmjet vetë Komunës dhe kompanisë në fjalë, thotë Abduramani.

“Për ne më rëndësi është që ky projekt të mos keqkuptohet nga prindërit se ne nuk bëjmë krim dhe më vjen keq që situata ka ardhur deri këtu. Jemi këtu për tu shprehur mbi të gjitha paqartësitë që kanë ndodhur në komunën e Gostivarit. Nga arsimtarë ose profesorë të ndryshëm është hedhur shkëndija e parë e zjarrit për këtë çështje, edhe pse gjithçka ka qenë shumë e qartë. Ne kemi ardhur nga shkallët më të larta të institucioneve dhe pastaj kemi përfunduar nëpër shkolla. Na vjen shumë keq që ka ardhur deri në atë pikë puna dhe çështja ka marrë jehonë. Kemi ardhur këtu me memorandum të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit, pastaj jemi mirëpritur nga komuna e Gostivarit dhe drejtorët e kanë pranuar projektin, që në të njëjtën kohë është produksion dhe donacion nga “Foto Raabe”. Janë fotografuar nxënësit me qëllim krijimin e albumeve për çdo nxënës si fazë e parë e projektit.

Faza e dytë parasheh që bashkë me albumet u është ofruar drejtorëve të bëhen edhe ID kartela ose karta identiteti për çdo nxënës që të konsiderohet si nxënës Evropian, që të mund ta shfrytëzoje kartelën nëpër shtet e jashtme ose në shtetet ku funksionin produksioni “Raabe” dhe kjo kartelë është e vlefshme. Për këtë kanë qenë dakord edhe drejtorët që të bëhen ID kartelat. Si përfundim, nga disa spekulime ose thashetheme është shpërndarë se gjoja organizata ose produksioni jonë, është produksion kriminal se gjoja do të merren të dhëna dhe do të keqpërdoren nga ana jonë. Në memorandumin e dyanshëm është paraparë që në rast se albumi nuk merret – nuk blihet, atëherë fotografitë riciklohen nga ana e produksionit.

Nuk ka keqpërdorim sepse është produksion me mbi 50 vite në treg, në Gjermani dhe nëpër shtetet përreth. Gjatë zhvillimit të projektit nuk ka pasur asnjë problem, sepse ata e kanë ditur se kush është qëllimi i projektit, se do fotografohen nxënësit. Është produksion i madh në Evropë dhe është me dokumente të rregullta. Neve kemi qenë dy javë në Gostivar dhe nuk pa pasur asnjë lloj problemi, as nga ana e komunës, as nga ana e drejtorëve. Kemi pasur bashkëpunim edhe me komunën e Strugës ku ka përfunduar projekti sepse bashkëpunimin e kemi pasur direkt me komunën. Është bërë fotografimi dhe nuk ka pasur asnjë problem. Komuna na ka dhënë leje, në Strugë ka shkuar gjithçka rregull”, u shpreh Mazar Abdurramani, projekt menaxher i Foto Raabe Maqedoni.

“Ky takim ishte i dobishëm sepse edhe njëherë u konfirmua se projekti është mjaft pozitiv, për realizimin e të cilit theksohet se janë respektuar të gjitha procedurat ligjore. Përmes kësaj deklarate, dëshiroj t’i demantoj të gjitha keqkuptimet, e posaçërisht të qetësoj prindërit të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë, se nuk ka shkelje ligjore për çështjen në fjalë”, u shpreh drejtori i SHF “Bashkimi”, Mersel Sadiku.

“Gjithçka tjetër se kinse janë dhënë të dhëna personale si numra amëz, data të lindjes, grupi të gjakut janë trillime jashtë logjikës. Nuk ka asgjë nga kjo. Për të gjitha spekulimet e periudhës së shkuar mua më vjen keq. U ngrit një panik e panevojshme ku edhe nxënësit ishin të frikësuar. U diskutua në Këshillin e prindërve nga ana ime që u sqarua detajisht ku u lexua edhe memorandumi. Përveç fotografimit të nxënësve që ka përfunduar. Prindërit nuk janë të obliguar t’i blejnë fotografitë, mbetet që prindërit të vendosin nëse duan t’i blejnë ose jo. Të gjitha fotografitë që nuk do duan t’i marrin prindërit, do të riciklohen në mënyrë adekuate dhe materialet do të zhduken. Mjetet që do të grumbullohen nga shitja e albumeve dhe fotografive, në mënyrë shtesë do të kthehen si donacion në shkollë. Në takimin që kishim, të gjitha shkollat dorëzuam lista me inventar të nevojshëm që pjesë nga ajo që kemi kërkuar të na jepet si donacion nga ana e Foto Raabee”, deklaroi drejtori i SHF “Goce Dellçev”, Sasho Sharevski.

Pas përfundimit të projektit, produksioni gjerman “Foto Raabe” do të sjellë donacione në të gjitha shkollat fillore të mesme të komunës së Gostivarit si mjete mësimore, banka, karrige, dërrasa, smart-tabela dhe mjete të tjera.

Lajme të ngjashme

Back to top button