Do të goditet fort

Bashar Al-Assadit dhe forcave të tij do t’u shkaktohen dëme të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara, mësohet t’u ketë thënë Barack Obama disa senatorëve amerikanë.

Një ushtarak i lartë amerikan ka deklaruar se presidenti Barack Obama është duke synuar një ndërhyrje në Siri që do të shkonte përtej një parandalimi të thjeshtë të armëve kimike, për të dëmtuar forcën ushtarake të regjimit të Bashar al-Assadit, ka njoftuar “Daily Telegraph”.
Gjenerali Jack Keane, ish-zëvendësshef i stafit të Ushtrisë amerikane, ka thënë se ka biseduar me disa senatorë të lartë republikanë, që janë informuar për planet nga kreu amerikan, të hënën, dhe që janë siguruar se Obama synon që t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme forcave të Al-Assadit, transmeton Tribuna.

Administrata Obama më parë ka thënë se sulmet ushtarake nuk do të kenë për qëllim të rrëzojnë qeverinë e Al-Assadit apo të ndryshojnë ekuilibrin e konfliktit. Përkundrazi, Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar se qëllimi i tyre do të jetë ndëshkimi i Al-Assadit për sulmin me gaz në Damask, më 21 gusht, dhe kthimi i “vijën së kuqe” që Obama e kishte vënë kundër përdorimit të armëve kimike.

Por, gjenerali Keane ka thënë se ka marrë vesh se presidenti Obama po planifikon një ndërhyrje më të madhe në Siri sesa që mendohej më parë, me mbështetje më të madhe për forcat opozitare, përfshirë trajnimin e tyre nga trupat amerikane. Ai ka thënë se planet mund të përfshijnë “shumë më shumë substancë sesa që jemi shtyrë të besojmë”. Pasi ka biseduar me senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham, të cilët janë informuar për ndërhyrjen nga Obama, gjenerali Keane ka thënë se “ajo që nuk do të bëjë ai është rrëzimi i regjimit. Këtu qëndron një dallim”.

Sipas gjeneralit Keane, ajo që presidenti Obama i ka thënë dy senatorëve është se “ai gjithashtu synon t’i ndihmojë forcat opozitare, kështu që ai do të zvogëlojë forcën ushtarake të Al-Assadit dhe do të rrisë kapacitetet e kryengritësve nëpërmjet trajnimit të tyre”. Gjenerali Keane ka thënë se trajnimet e mundshme me gjasë do të bëheshin në Jordaninë fqinje, sesa brenda vetë Sirisë.

Gjenerali amerikan, i cili është pensionuar në vitin 2003, ka vlerësuar se vendimi i befasishëm i Obamas për të kërkuar mbështetjen e Kongresit për ndërhyrje në Siri është nxitur nga “disfata poshtëruese” parlamentare e kryeministrit britanik, David Cameron. Ai ka thënë se SHBA-ja “më me dëshirë” do të kishte mbështetjen e Britanisë për sulme kundër regjimit të Al-Assadit.

“Ne operojmë krah për krah me Britaninë, dhe e dimë se kush është aleati ynë më i ngushtë. Ne sigurisht se më me dëshirë do të ndërhynim krah për krah britanikëve”, është shprehur gjenerali.

“Unë mendoj se… humbja poshtëruese që kryeministri ka pësuar në parlament ia ka çelur sytë presidentit, dhe mendoj se ka ndikuar te ai. Unë mendoj se kjo ka shkaktuar atë që unë e quaj frikë të dukshme dhe një prej arsyeve pse ai po kërkon mbështetje politike”, ka vlerësuar Keane.

Ndërkohë, agjencia për refugjatë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNHCR, të martën ka bërë të ditur se një rritje prej gati dhjetëfish e ikjes së sirianëve drejt Turqisë, Irakut, Jordanisë dhe Libanit gjatë 12 muajve të fundit e ka çuar numrin e refugjatëve sirianë në mbi dy milionë.

Lajme të ngjashme

Back to top button