Me një rioganizim të Qeverisë mund të sigurohen mijëra punësime

Edhe pse Maqedonia problem më të madh e ka papunësinë, Qeveria nuk e sheh sektorin civil si sektor i cili mund të punësojë njerëz, posaçërisht të rinjtë. Deri më tani janë ndarë rreth 10 milion euro për programe të ndryshme punësimi por gjithnjë duke neglizhuar sektorin civil i cili në fakt, nëse Qeveria ndërmerr një organizim më të mirë të fondeve evropiane IPA do të mund të punësojë  rreth 8 mijë persona. Kështu thotë raporti i ri i Qendrës Maqedonase për Arsimim Evropian (QMAE) në të cilin është zbardhur hulumtimi i tyre i fundit për kyçje e sektorit jo-qeveritar në shfrytëzimin e fondeve evropiane.

“Ne kemi një propozim i cili do të ishte i pranueshëm për të gjitha palët. Nëse Qeveria  bën riorganizimin e mjeteve ekzistuese të IPA fondeve dhe të lihen 15% nga IPA II për sektorin civil atëherë do të mund të hapen 7700 vende të reja me orar të plotë pune si dhe rreth 250 mijë persona mund të punësohen përkohësisht. Me këtë dhe ulet masa e papunësisë, do të rritet shfrytëzueshmëria e fondeve evropiane si dhe do ti ndihmohet sektorit civil i cili është një ndër shtyllat e demokracisë” tha sot Bojan Mariçiç nga QMAE.

Nga kjo organizatë thonë se nga Buxheti ndahet një sasi minimale për përkrahjen e sektorit civil dhe ajo është 7,6 milion euro në vit, që në krahasim me Slloveninë dhe Kroacinë është shumë qesharake.

“Ne gjithashtu propozojmë që të krijohet një “Fond për zhvillim të demokracisë” më anë të së cilit në mënyrë transparente do të ndahen fonde për sektorin civil. Për të mos pasur influencë politike në organizatat tona ne propozojmë të krijohet një mekanizëm mbrojtës i cili do të garantojë pavarësinë e tyre e ai është Instituti për standardizim i cili do të krijonte një standard për pavarësi në bazë të së cilit do të ndaheshin mjetet” tha Lupç? Petkovski.

Qeveria i ka konsultuar organizatat jo-qeveritare sa i përket shfrytëzimit të IPA fondeve sepse nuk ka tjetër zgjidhje pasi që është e shënuar qartë në rregullativën për ti thithur këta fonde evropiane, thontë nga QMAE. Por, realisht influenca e organizatave jo-qeveritare në shpërndarjen e këtyre fondeve është zero. 

“Ne duam të kyçemi në krijimin e strategjisë sepse ne kemi kapacitet më të madh se sa që konsideron qeveria jonë. Duam të dëgjohet zëri jonë sepse sektori civil ka potencial të madh për të realizuar punësime andaj dhe propozojmë këtë lloj të ristrukturimit të fondeve IPA” tha drejtoresha e QMAE, Lidija Dimova. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button