Kurthet e lobimit të Ahmetit në Greqi kthehen në Maqedoni

Po të lexohen deklaratat e Milloshovskit dhe të Poposkit, në esencë paraqesin atë që pretendohet të ndodhë. Nëse Poposki e vlerëson vizitën e Ahmetit në Greqi si private dhe të dobishme, gjithsesi në pajtim të plotë me Gruevskin, atëherë, Milloshovski si njeri i rëndësishëm i diplomacisë, e lëshon virusin e dyshimit për pozitën e Greqisë ndaj negociatave dhe vizitës së Ahmetit. Ky virus a do ta kaplojë edhe VMRO-në? Është metodë pune në situata të këtilla, kur dyshohet në sinqeritetin e zgjidhjes së një problemi, ashtu siç bënë shumica e personaliteteve maqedonase. 

Ish-ministri i punëve të jashtme, Antonio Milloshoski, një personalitet i rëndësishëm i VMRO-së, shkruan në “Twitterin” e tij: “Problem i vogël është takimi i Ahmetit me Venizellosin në Athinë. Problem i madh është se nga ai takim është përjashtuar ambasadori i Maqedonisë – përfaqësuesi i shtetit”

Analisti, Alajdin Demiri, i cili bart përvojë diplomatike, konsideron se prononcimi i Milloshovskit, si njeri i rëndësishëm i VMRO-së, për vizitën e Ahmetit në Athinë, është balona e fryrë që tregon se kjo vizitë,  sherrin do ta kthejë në Maqedoni, ku pala shqiptare, pa pikë faji, do të tentohet të paraqitet si fajtore.

Antonio Milloshovski, i ka kuptuar mirë përfitimet e palës greke nga vizita e Ahmetit në Greqi, çështja nuk shtrohet vetëm në pjesëmarrjen e ambasadorit të Maqedonisë në këtë takim. Alajdin Demiri, thotë se  pjesa esenciale, është diku tjetër. Për arsye se takimet e këtilla te Ahmetit me funksionarë grekë i japin mundësi Greqisë që të paraqitet si kooperuese dhe demokratike për emrin dhe nga ana tjetër e kthen problemin në  Maqedoni, duke e ulur në bankën e akuzave Gruevskin dhe qeverinë zyrtare.

“Fakti që asnjë zyrtar grek nuk pranon të takohet me zyrtarë maqedonas, e hap dilemën e zgjedhjes pse grekët takohen me shqiptarët dhe jo me maqedonasit. Ky problem do të kthehet ne Maqedoni, ku BDI-ja, do të paraqitet si tensionuese e raporteve edhe ashtu të rënda maqedono-shqiptare”, thotë Alajdin Demiri

Për Demirin, vizita e tillë e Ahmetit, pa asnjë mandat veprimi, i ngjan vetëm lobimit që nuk prodhon asnjë efekt pozitiv. Kjo është esenca se nga një ide pozitive e Ahmetit, që është menaxhuar mirë nga grekët mund të krijojë tensione të reja suplementare ndëretnike në Maqedoni. 

Grekët kanë shumë çështje të pazgjidhura me shqiptarët e Shqipërisë, siç është problemi i toponimeve dhe shqiptarët e lindur atje, dhe është e pamundur që të ketë raporte dashurie me shqiptarët e Maqedonisë. Vënia  e Ahmetit në një pozitë të të ledhatuarit të Greqisë është e pakuptimtë, duke i pasur parasysh qëndrimet greke ndaj pavarësisë së Kosovës dhe raporteve të reja me Shqipërinë, ndaj kishës ortodokse. Demiri, thotë se gjithë këto probleme, e hapin dilemën se cilët shqiptarë i prezanton Ahmeti në Greqi, për arsye se në këto raste prezantimi është etnik, universal, jo vetëm i një pakice këtu ose një shumice atje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button