Kosova në një shfaqje zvicerane: paragjykimet dhe të vërtetat

Dy artiste apo më saktë, një regjisore dhe një performuese, njëra nga Gjermania, Antje Shop dhe tjetra nga Bazeli, Zvicër, Beatrice Fleischlin, kishin prej një viti një ide dhe disa pyetje në kokë: Kosova. Cila është ajo, sa ngjan me klishetë që kanë zviceranët a gjermanët për të, si jetohet atje dhe a ka në përgjithësi ndonjë shans mbijetese kjo krijesë e re shtetërore? Shumicën e paragjykimeve dhe frikën që ekziston në perëndim për Kosovën, ato i hoqën me të shkelur tokën e Kosovës për herë të parë.

Kjo ndodhi në qershorin e këtij viti, kur Antje dhe Beatrice, me një dozë guximi aventurier, filluan të “eksplorojnë” shtetin e ri, të mbështjellë në kokat e tyre me mjegullën e paragjykimeve dhe të ekzotikës. Ato vërtet panë shtëpi të papërfunduara dhe parregullsi e kaos në rrugë por ndryshe nga stereotipat që kishin, nuk panë gra të mbuluara me ferexhe por të rinj (shumë të rinj e të reja) të veshur sipas modës, si kudo në perëndim. Për më tepër, ato si femra, për një çast ishin ndjerë inferiore ndaj vajzave të Prishtinës, në punë të veshjes moderne.

Dhe pas “skanimit” që i bënë gjendjes në shtetin më të ri të Evropës, me kokën e mbushur kontradikta e paradokse çfarë Kosova ka me bollëk, ato ia mësynë realizimit të shfaqjes “Love. State. Kosovo”. Ashtu siç paraqitet vetë jeta në Kosovë, kaotike, në gjendje të një improvizimi dhe përkohësie të përhershme, do të bëhet edhe shfaqja, performansa, e shfaqur si premierë të enjten e kaluar në kuadër të festivalit “Zürcher Theaterspektakel”. Ajo na prezantohet qëllimisht jo sa duhet e “lëmuar”, ka improvizime dhe duket se ka mbetur pa i dhënë “lustrën” e fundit në të gjitha aspektet, sikur për të reflektuar më në plotëni aktualitetin kosovar.

Në kërkim të pasqyrimit të realitetit të sotëm në Kosovë, dy artistet nga Bazeli kanë angazhuar edhe dy artistë të rinj shqiptarë nga Kosova. Labinot Rexhepi është balerin dhe koreograf ndërsa Astrit Ismaili, aktor, performues. Prania e dy perspektivave në shfaqje: perspektivës zvicerane dhe asaj kosovare, është përpjekje për të ndërtuar një pamje sa më të plotë dhe jo subjektive të Kosovës.

Kur Beatrice dhe Antje shpërfaqin klishetë perëndimore për Kosovën, Astriti dhe Labinoti i ironizojnë ato për naivitetin e tyre, për shikimin e Kosovës si diçka ekzotike. Por ata, gjithashtu dhe sidomos Astriti, me mënyrën e tij filozofike të shprehjes, shpërthejnë edhe me ndjenjën e dëshpërimit për gjendjen ku është sot Kosova. Janë mbresëlënëse në këtë kuptim skenat ku të katër aktorët luajnë me flamujt e kudogjendshëm (të Kosovës, të Shqipërisë, të SHBA-së, të BE-së, të Zvicrës…) pastaj monologët ku dy aktorët shqiptarë shfryjnë kundër politikës vendore e ndërkombëtare, kundër imponimit të flamurit me gjashtë yje nga këta të fundit etj.

Duke bërë fjalë më tutje për Kosovën dhe shqiptarët, artistet zvicerane kanë prekur edhe temën e patriarkalizmit dhe maçoizmit, tipik për meshkujt ballkanikë. Ndërsa kur ato flasin për fenomenin e “burrneshave” ose “virgjëreshave të betuara”, dy personazheve shqiptare u bëhet tepër prandaj shpërthejnë duke kundërshtuar përgjithësimet e tilla.

Kosova, sipas tekstit të shfaqjes, po e fillon historinë nga e para, pra nga zeroja, kështu edhe njëri nga aktorët, Astrit Ismaili, për të qenë brenda kësaj logjike, vendos t`ia “fillojë nga zeroja”, gjegjësisht të çlirohet nga të gjitha rrobat që mbante në trup. Prandaj ai, në një pjesë të shfaqjes e luan rolin e tij plotësisht lakuriq, duke dëshmuar jo për të parë herë natyrën e tij jokonvencionale.

Shfaqja nuk është ndërtuar mbi një fabul dhe nuk ka një rrjedhë të rregullt deri në epilog. Ajo më shumë përbëhet nga fragmente dhe inserte, pasazhe, dialogë me teza e kundërteza, të prezantuara me tekst, muzikë e vallëzim. Këtu hyjnë edhe këngë e valle të popullarizuara shqiptare (Vallja e pavarësisë), që më shumë vihen në skenë në funksion të ironizimit dhe përmbysjes së skemave.

Në shfaqje fliten disa gjuhë: anglisht shqip, gjermanisht dhe schweizerdeutsch. Ajo është realizuar si një bashkëprodhim i: culturescapes festival, theater spektakel zürich, kaserne basel, spielart festival münchen, qendra multimedia prishtina. Ndërsa është mbështetur me financa nga një numër fondacionesh kulturore zvicerane.

Salla ka qenë e mbushur plot me publik në të tri shfaqjet e dhëna në Cyrih.

Pasi që është dhënë tri herë para publikut të festivalit në Cyrih, shfaqja “Love. State. Kosovo” do të jepet gjatë tetorit sërish në Zvicër, gjegjësisht në Bazel, pastaj në Munih të Gjermanisë dhe po ashtu edhe në skena të ndryshme në disa qytete të Kosovës.(albinfo.ch)

Lajme të ngjashme

Back to top button