Cërvenkovski: Në frontin opozitarë nevojiten të gjithë, edhe shqiptarët

Ish-kryetari i LSDM, Branko Cërvenkovski ka theksuar se nevojitet bashkim i tërë Frontit opozitar për t’iu kundërvënë siç thotë ai “regjimit të Nikolla Gruevskit”.

Ai madje thotë se për këtë nevojitet jo vetëm përkrahja e tërë partive opozitare maqedonase, por edhe përkrahja e shqiptarëve.

“Kjo Qeveri nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes me Nikolla Gruevskin…duhet lëvizje e gjerë popullore me të gjithë qytetarët. Me të gjithë ata që janë kundër këtij regjimi”, ka deklaruar Cërvenkovski në emisionin “Top Tema”  të televizionit Telma.

Ai mes tjerash ka theksuar se pikërisht rikthimi i tij në jetën publike ndërlidhet me qëllimin për të kontribuar në ndërrimin e pushtetit. Cërvenkovski ka theksuar se nevojitet një strategji e re kundër pushtetit, pasi siç tha qeveria e Gruevskit nuk bie me pres konferenca.

Ish lideri i LSDM-së edhe një herë ka theksuar se udhëheqësia e tanishme e partisë gaboi që për dy vite mori pjesë në institucione, ndërsa theksoi se u desh të kalojë e gjithë kjo kohë për të kuptuar se Gruevski nuk fitohet në atë mënyrë, por se mënyra e vetme janë protestat. Për këtë ai theksoi se asokohe nuk e ka patur përkrahjen e partisë dhe ky ka qenë edhe shkaku pse  është larguar.

Lajme të ngjashme

Back to top button