Si e konsideron Eli Fara bukurinë e saj, pas komentit të Arlinda Dudajt?

Një opinion i botueses Arlinda Dudaj në emisionin “Opinion” është bërë objekt diskutimi dhe debati të gjatë këtyre ditëve në rrjetet sociale. “Femrat më të bukura ndër vite”, tema e emisionit të Blendi Fevziut, ka treguar edhe një herë tjetër këndvështrimin e femrave për bukurinë e njëra-tjetrës. Në listën e 10 femrave më të bukura ndër vite ka qenë e përfshirë edhe këngëtarja Eli Fara, por botuesja Dudaj e ka kundërshtuar këtë renditje duke përjashtuar këngëtaren korçare nga kjo listë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i fotografit Endrit Mërtiri (i ftuar në panel), i cili jo vetëm ka kundërshtuar mendimin e botueses Dudaj, por e ka vazhduar debatin edhe në rrjetet sociale pas programit. Në mbështetje të Eli Farës, në Instagram u përfshi edhe mikesha e saj e ngushtë, Aurela Gaçe, e cila po ashtu nuk nguron të shprehë hapur vlerat e këngëtares korçare.

E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Eli Fara ka reaguar pas kësaj “xhelozie” të shfaqur publikisht dhe, me qetësinë dhe sigurinë që e karakterizon, e konsideron veten dhe bukurinë e saj si të një zeshkaneje nga jugu i Shqipërisë, meritë edhe e prindërve të saj.

Eli Fara tregon për gazetën se nuk i ka kushtuar ndonjëherë vëmendje të madhe këtyre renditjeve që janë bërë dhe bëhen vazhdimisht nëpër media, sepse “bukuritë e mia jo sipërfaqësore janë pa fund. Unë me ato krenohem”, ndërsa bukurinë e jashtme të vetes, ajo e ka meritë të trashëguar: “Vij nga prindër të bukur”. Ndërsa për komentet e botueses Dudaj si bukuri turke, Eli thotë: “Unë jam e krishterë. Tiparet e mia janë tipike të një zonje të jugut të Shqipërisë.”

Gjatë karrierës së gjatë artistike, këngëtarja tregon se në përgjithësi nuk e ka ndier xhelozinë femërore. Sipas saj, femrat shqiptare nuk janë xheloze (përveç rasteve të rralla), sepse janë vetë të bukura. Ndërsa, për sytë e meshkujve, Eli thotë se ka qenë gjithmonë “e mira”.

Lajme të ngjashme

Back to top button