Çka fituan e çka humbën shqiptarët në 22 vite pavarësi të Maqedonisë?

Pasojat nga embargot, tranzicioni, privatizimi, pavarësia ekonomike nuk i anashkaluan as qytetarët e nacionalitetit shqiptar. Si pjesë e ambientit të përgjithshëm ekonomik, edhe qytetarët shqiptarë në kët 22 vite pavarësi u ballafaquan me problemet që i shqetësojnë të gjithë – papunësia, varfëria, standardi i ulët jetësor. Nga ana tjetër, ekspertët thonë se mbetet e hapur çështja se a kishin dhe sa hapësirë kishin shqiptarët të marrin pjesë në krijimin e politikave të gjithmbarshme ekonomike.

“Shqiptarët nuk ishin faktorë kryesorë në vendimet për reformat ekonomike, kështu që në këto 22 vitet e pavarësisë, pothuajse e gjithë barra u takoi maqedonasve. Mirëpo shqiptarët kishin rol të rëndësishëm në llogarinë kapitale të bilancit të pagesave.

Diaspora shqiptare praktikisht është fuqia punëtore e eksportuar jashtë vendit, e cila dy herë në vit, kur kthehet në Maqedoni, harxhon shuma milionëshe të eurove. Në atë mënyrë, nëpërmjet harxhimeve të drejtpërdrejta ata në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në krijimin e rezervave devizore të vendit. Mund të them se diaspora shqiptare është e rëndësishme edhe nëpërmjet parave që në vazhdimësi ua dërgon të afërmve në vend, që ndikon në zvogëlimin e dallimit të llogarisë tregtare, mu nëpërmjet këtyre të hyrave në llogarinë kapitale. Mu këtu e shoh rëndësinë dhe kontributin e shqiptarëve në gjendjen e përgjithshme ekonomike të Maqedonisë”, sqaron profesori universitar Besnik Fetai për “Portalb”-in.

“Biznesi nuk duhet të jetë i ngjyrosur as me ngjyrë partiake as me ngjyrë nacionale”, thotë Arben Abdurrahmani, pronar i kompanisë “Vezë Sharri” nga Tetova.

“Kaluan 13 vite që kur e hapa kompaninë time në Maqedoni. Sipas meje, paratë, gjegjësisht biznesi nuk duhet të etiketohet e as të varen nga politika dhe nga përkatësia nacionale. Nga stabiliteti politik, e pastaj edhe nga ai ekonomik varet edhe qëndrueshmëria dhe zhvillimi i biznesit. Si përparësi gjatë gjithë këtyre viteve mund ta veçoj stabilitetin e kursit të denarit. Jemi dëshmitarë se për shkak të fluktuimeve të shpeshta të kursit devizor, e bile edhe devalvimeve, në Serbi, e bile edhe Bullgari, firmat kanë humbje”, thotë biznesmeni Abdurrahmani për “Portalb”-in.

Prej tranzicionit deri te reformat

Dhimbja më e madhe e konomisë mbeti mungesa e reformave reale ekonomike, konsideron profesor Fetai. Ai i përcakton vështirësitë kryesor ekonomike gjatë 22 viteve të shtetësisë.

“Modeli i privatizimit duheshte të zbatohet ndryshe, gjegjësisht nëse do të lejohej blerja e aksioneve të firmave, pa marrë parasysh se a jeni të punësuar në ndonjërën prej tyre ose jo, atëherë efektet e privatizimit do të ishin të tjera. Të përkujtohemi se deri në vitin 2002 Maqedonia nuk ishte anëtare e Organizatës tregtare botërore, prë dallim nga Sllovenia dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore. Anëtarësimi në OTB nënkupton hapjen drejt tregjeve të reja dhe të mëdha për ekonominë e Maqedonisë”, sqaron profesor Fetai.

Ekonomistët konsiderojnë se gjatë gjithë këtyre viteve, shteti vazhdon të menaxhojë dhe të zbatojë politikë të harxhimeve të mëdha shtetërore në gjendje të konkurrencës së dobët dhe kondicionit të dobët financiar të firmave.

“Vetëm gjatë shtatë viteve të fundit, nëpërmjet buxhetit shtetëror janë harxhuar mbi 16 miliardë euro – para të qytetarëve dhe të firmave. Parashtrohet pyetja ku janë efektet ekonomike nga këto mega-buxhete?”, komentojnë njohësit e rrethanave.

Pas 22 vitesh pavarësi, Maqedonia akoma lufton me problemet e vjetra, vlerësojnë ekonomistët:
– stërngarkim me të punësuar dhe joefikasitet i administratës publike
– mungesë së konkurrencës së mjaftueshme në sistemin bankar
– harxhimi i parave buxhetore për projekte joproduktive
– ndikimi i politikës mbi biznesin

“Edhe pse promovohet liria ekonomike, në praktikë konsideroj se ajo nuk ekziston, për shkak se firmat akoma kanë frikë se pushteti mund t’ua rrezikojë biznesin e tyre në qoftë se lirshëm i tregojnë problemet”, vlerëson profesor Fetai.

Me përqindje zvarritëse të rritjes ekonomike që nuk mund të sigurojë rritje të dukshme të standardit, me pasiguri politike që dikton edhe pasiguri ekonomike – Maqedonia nuk mund të shpresojë se do të ketë rezultate të dukshme pozitive – komentojnë ekspertët.

Ardhmëria gjithsesi duke të shihet në integrimet euroatlantike – konsiderojnë biznesmenët dhe ekspertët.

“Anëtarësia në Bashkimin Evropian për mua si biznesmen do të thotë rregullativë e qëndrueshme ligjore, sinjale për stabilitet edhe për investitorët e vendit edhe për ata të huaj, tregje të hapura, qarkullim i lirë i mallrave dhe shërbimeve. Për dallim nga ambienti aktual – anëtarësia në BE do të thotë fund të për biznesin në të zezë. Gjithsesi do të ketë “viktima”, por megjithatë konkurrenca lojale do të bëjë të veten”, vlerëson afaristi Abdurrahmani.

“Integrimet euroatlantike do të sjellin liri më të madhe ekonomike”, vlerëson profesori Fetai.

“Me integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, me siguri do të përmirësohet gjendja ekonomike, nëse nisemi nga analizat empirike që janë bërë në vendet në tranzicion (të cilat më pas janë bërë anëtare të BE-së). Kjo do të thotë se do të rritet shkëmbimi tregtar dhe investimet e drejtpërdrejta, poashtu zhvillim më i madh i tregut financiar, e nga ana tjetër korruptim i zvogëluar në doganë, polici, gjyqësi”, thotë profesori dhe shton:

“Në fund, anëtarësia në BE do të nënkuptojë edhe liri më të madhe ekonomike.”

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button