Saraçini starton projektin ‘Hapur me biznesin’, pret investitorët e hidrocentraleve të vogla (PLT)

Ministri i ekonomisë, Valon Saraçini, në kuadër të projektit “Hapur me biznesin” sot zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanive që investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Gjatë takimit u diskutuan të gjitha përfitimet dhe çështjet e hapura që i kanë investitorët, ndërsa në takim i ftuar i ministrit Saraçini ishte ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Abdulaqim Ademi.

Siç theksohet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë, në periudhën ndërmjet viteve 2009-2012, Ministria e Ekonomisë në bazë të pesë procedurave të kryera, ka nënshkruar gjithsej 70 kontrata për koncesion për shfrytëzimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e vogla, nga të cilat, 16 hidrocentrale të vogla janë ndërtuar me kapacitet të instaluar prej 11 MW, ndërsa investimi  total është 20 milion euro, dhe janë përshirë lokacione në shumë komuna në vend, siç janë Likova, Tearca, Struga, Resnja, Çuçer Sandeva, Mavrova-Rostusha, Ohri etj.

“Në fazën e ndërtimit janë 14 hidrocentrale të vogla me një kapacitet total të instaluar prej 16 MW, ndërsa investimi që presim të realizohet arrin shumën në mes 25-30 milionë eurosh. Një pjesë e tyre do të kompletohen deri në fund të këtij viti, kurse tjetra në gjysmën e parë të vitit 2014. Procedurat për lokacionet ku do të ndërtohen 36 hidrocentralet e vogla, janë në fazën përfundimtare të sigurimit të dokumenteve të nevojshme për të filluar ndërtimin. Shifrat tregojnë se bëhet fjalë për një investim serioz, të realizuar brenda dy viteve, me kapital të huaj dhe vendas, me ç’ rast të gjitha institucionet e përfshira ofrojnë mbështetjen maksimale gjatë realizimit”, tha ministri Saraçini.

Sipas ministrit Saraçini, ndihma më e madhe nga ana e Ministrisë së Ekonomisë në procedurat për sigurimin e dokumenteve të kërkuara, ka rezultuar nga komunikimi i vazhdueshëm me institucionet që japin leje apo licenca në mënyrë që të përshpejtohen procedurat, me çka përshpejtohet edhe ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, me ç’rast me disa nga koncesionerët që kishin çështje të hapura me komunat dhe institucionet, në sajë të këmbënguljes së Ministrisë së Ekonomisë, ato janë tejkaluar, kështu që disa prej hidrocentraleve të vogla në këto komuna janë ndërtuar, dhe disa janë në ndërtim e sipër.

Ministri Ademi tha se kjo praktikë në masë të madhe kontribuon në shkëmbimin e përvojave për fusha të caktuara, dhe njëkohësisht  informoi rreth bashkëpunimit që ka filluar me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila do të rezultojë me përgatitjen e dokumentacionit të tenderit dhe modelin e kontratës, si dhe me ueb-portalin, ku do të publikohen të gjitha informacionet e nevojshme për hidrocentralet e vogla.

“Deri në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të publikohet edhe tender i ri me lokacione të reja, nga të cilat 80 veç më janë gatshme për t’u ofruar për të interesuarit”, informoi ministri Ademi, duke shtuar se takime të tilla janë të dobishme për të gjithë, edhe për koncesionerët, por edhe për institucionet shtetërore, të cilat duhet të jenë të  informuary me përvojat në terren, në mënyrë që të mund t’i tejkalojnë të gjitha barrierat. /Portalb

Përfaqësuesi i kompanisë ‘Hidroelektranat e vogla’ sh.p.k Shkup, informoi se kompania e tyre ka nënshkruar 7 marrëveshje koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla dhe se ata janë të parët që kanë ndërtuar hidrocetral nëpërmjet koncesionit. Ai gjithashtu përshëndeti iniciativën e ministrit të ekonomisë për të nisur projektin “Hapur me biznesin”, sepse, siç u shpreh ai, kështu do të arrihet zbatimi më i shpejtë i projekteve në të ardhmen, edhe pse edhe deri tani institucionet shtetërore i kanë mbështetur ata me të gjitha kapacitetet që i posedojnë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button