Kërçovë: Mësimi filloi në kushte të këqia

Sot ra zilja e parë për vitin shkollor 2013/2014 në të gjithë shkollat e vendit duke i përfshirë edhe shkollat e Kërçovës me rrethinë.

Sa u takon kushteve me të cilat ballafaqohen udhëheqësit dhe nxënësit nëpër shkolla, jo të gjitha shkollat kanë kushte të mira për mësim.

Drejtori i shkollës fillore “Rexhë Rushit Zajazi”, Sulejman Dervishi flet për shkollën periferike në fshatin Kollarë, në të cilën kushtet lejnë për t’u dëshiruar.

“Kushtet për mësim nuk janë edhe aq të këqija, megjithatë objekti është i vjetër dhe mungon hapësira në oborr. Shkolla u lye brenda dhe jashtë para disa muajve dhe tani së shpejti do t’i vendoset kulm i ri. Ajo që na mungon në të gjitha shkollat periferike janë hapësirat për sport.” – shtoi Dervishi. 

Ndërkohë objekti i shkollës fillore qendrore “Rexhë Rushit Zajazi” është një ndër objektet më të reja dhe më moderne në rrethinën e Kërçovës, në afërsi të si cilës tashmë është në fazën përfundimtare të ndërtimit edhe salla e sportit.

Gjendja është më e mirë në shkollën fillore “Sande Shterjoski”, ku edhe shkollat periferike tashmë janë vendosur në objekte të reja dhe, sipas drejtorit, kanë kushte të mira për mësim.

“Objekti i shkollës qendrore është rindërtuar së fundmi me investime nga Ambasada e Japonisë në Vjenë, organizata “TIKA” e Turqisë, Banka Botërore dhe USAID-i. Në shkollën e fshatit Mahmute, Komuna e Kërçovës, në bashkëpunim me organizatën “TIKA”, është ndihmuar ndërtimi i objektit të ri, i cili do të lëshohet në përdorim më 15 shtator. Duhet të keni parasysh që nxënësit në atë fshat deri tani kanë mësuar në një shtëpi private. Gjithashtu, me financimin e Komunës së Kërçovës dhe Ministrisë së Arsimit është ndërtuar shkolla në fshatin Trapçindoll. Rreth 1 milion euro ka kushtuar shkolla e re në fshatin Pashinë. Aktualisht, në gjendje pak më të keqe është shkolla e “Agrokopit” në të cilën me financimin e Ministrisë është ndryshuar çatia, kurse UNICEF-i financoi shtrimin e dyshemeve me Vinfleks pllaka, por gjithsesi objekti është më i vjetër. Shkolla jonë i ka të gjitha mjetet mësimore dhe aparaturat për laboratorët e fizikës, biologjisë dhe të kimisë, të mundësuara nga organizata SOROS”, thotë Lulzim Mehmeti, drejtor i shkollës fillore “Sande Shterjoski”.

SHMK “Drita” këtë vit shkollor ka tre paralele më pak, kurse një rënie e numrit të nxënësve vërehet edhe në shkollat fillore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button