Tajlandë, zbulohet varr masiv i 26 emigrantëve të paligjshëm

Dhjetëra policë dhe vullnetarë kanë zhvarrosur trupat e 26 viktimave në një varr masiv pranë një kampi të dyshuar të trafikimit të qenieve njerëzore, në brendësi të një xhungle në Tajlandë, siç bënë të ditur zyrtarë të policisë vendase gjatë së shtunës.

Nga vendi ku nisën gërmimet arkeologjike, në qarkun Sadao të provincës Songkhla, u nxorrën fillimisht trupat e 5 viktimave gjatë së premtes dhe 21 të tjerë gjatë së shtunës; të gjithë siç besohet të emigrantëve nga Mianmari dhe Bangladeshi. Autoritetet kanë gjetur 3 të mbijetuar në kamp, dy prej të cilëve fëmijë.

“Në total, 26 trupa janë zbuluar dhe zhvarrosur; 24 burra, një grua dhe një i paidentifikueshëm”, tha kreu i përgjithshëm i policisë, Jarumporn Suramanee, i cili shtoi se operacioni tashmë ka përfunduar. Nga përllogaritjet paraprake dyshohej të kishte rreth 30 trupa të varrosura në vendngjarje.

Emigrantë ilegalë, shumica prej të cilëve muslimanë “rohingya” nga Mianmari perëndimor dhe Bangladeshi, udhëtojnë shpesh përmes rrugëve tepër të rrezikshme përmes detit, në mënyrë që t’u shmangen persekutimit fetar dhe etnik, si dhe për të kërkuar punësim në Malajzi dhe Tajlandë, por kjo e fundit njihet si qendër e trafikut rajonal.

Të paktën edhe një tjetër kamp trafikimi mendohet të ndodhet jo shumë larg varrit masiv të zbuluar, thotë koloneli Anuchon Chamat i policisë vendase, gjë që konfirmohet edhe nga zëvendëskomandanti i Policisë së provincës Nakorn Si Thammarat, si dhe një përfaqësues i ekipit hetimor.

Identifikimi i viktimave mund të kërkojë kohë, pasi të afërmit e tyre duhet të udhëtojnë nga Mianmari dhe Bangladeshi drejt Tajlandës, në mënyrë që të ofrojnë provëza ADN-je për t’u testuar dhe për të identifikuar nëse ka të afërm të tyre mes viktimave.

Organizata e të drejtave të njeriut, “Human Rights Watch” ka bërë thirrje për një hetim të pavarur me përfshirjen e OKB-së, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në vendngjarje. Shumica e trupave, nga hetimet paraprake, nuk kishin shenja dhune mbi trup.

Lajme të ngjashme

Back to top button