Berisha, 298 milionë lekë vetëm për lobimin te të huajt

Edhe pse në jo pak herë diplomacia shqiptare është treguar e heshtur në shumicën e rasteve, janë miliona lekë të cilat shkojnë për veprimtarinë diplomatike dhe atë konsullore. Në auditimin e brendshëm të Ministrisë së Jashtme, rezulton se një pjesë e mirë e fondeve janë përdorur për të paguar aderimin e vendit tonë në organizata të ndryshme, qofshin ato kulturore apo politike, shkruan “Shekulli”.

Në total, shpenzimet e parashikuara për Ministrinë e Jashtme janë 2.195.268.000 lekë ose pothuajse dyfish më të larta se një vit më parë kur Shqipëria shpenzoi 1.18 miliardë lekë. Një fakt që bie në sy është se nga fondi total, pjesa dërrmuese e tij është parashikuar për t’u përdorur për mbështetje diplomatike jashtë shtetit. 1.797.573,000 lekë është fondi i posaçëm vetëm për këtë qëllim. Shqipëria ka hapur vitet fundit seli diplomatike në shumë vende të botës, madje edhe atje ku shkëmbimet tregtare apo kulturore janë zero.

Zyrat tona diplomatike në jo pak raste shihen si agjenci punësimi për të punësuar njerëz, veçanërisht tek ato seli që ndodhen brenda zonës së Bashkimit Europian që janë më të lakmuarat. Në raportin e siguruar nga “Shekulli”, pothuaj të gjithë zërat e shpenzimeve kanë pasur një rritje të fondeve, ku një pjesë e konsiderueshme ka shkuar vetëm për lobimin dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në vendet evropiane.

Dyfishimi i fondeve nga qeveria për diplomacinë tonë në një vit elektoral, rrit ndjeshëm dyshimet se këto shuma të jenë përdorur për përmirësimin e imazhit të qeverisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Gjatë kësaj kohe, kanë qenë të shumta konferencat dhe aktivitete e organizuara nga diplomacia shqiptare, në pjesën më të madhe të të cilave është reklamuar zhvillimi i Shqipërisë gjatë viteve të qeverisjes së Berishës.

Lajme të ngjashme

Back to top button