Vritet biznesmeni i ndërtimeve në Durrës

Viktima mësohet të jetë Plaurend Cani, 40-vjeç, biznesmen në fushën e ndërtimit. Gazetarja Kodiana Haxhiaj raporton se burime nga policia e qytetit bregdetar bënë me dije për News24, se 2 persona të maskuar që lëviznin me motor e kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë biznesmenin në zonën e plazhit në Durrës, pranë sektorit “Teuta” dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. 

Viktima mësohet se po pinte kafe me punonjësit e tij, në një lokal pranë vendit ku po ndërtonte një pallat në zonën e plazhit. I plagosuri është dërguar menjëherë nga punonjësit e tij në Reanimacionin e spitalit të Durrësit, por fatkeqësisht nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve të marra. Bluzat e bardha e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë jetën e 40-vjecarit për pasojë se 2 plumbat i kishin prekur organet jetësore. 

Policia ka ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorëve, ndërkohë që ngjarja dyshohet të ketë lidhje me punën që bënte biznesmeni. Ndërkohë, dëshmia e punonjësve që që shoqëronin viktimën në lokal do të jetë pikë kyçe për zbardhjen e detajeve të krimit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button