Edi Rama: Aksioni i kontrollit të naftës, jo përzierje të karburanteve me hollues

Mbi të gjithë abuzuesit në tregun e karburanteve do të ketë ndëshkime dhe penalitete. Nisur nga situata e këtyre viteve, ku të dhënat kanë treguar se në tregun e naftës ka pasur dëme kolosale, jo vetëm për ekonominë, por edhe për konsumatorët, të cilët janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga përdorimi i hidrokarbureve.

Në aksionin gjithëpërfshirës, të njoftuar nga qeveria, do të përfshihen direkt strukturat e 4 ministrive. Kryeministri Edi Rama një ditë pasi lajmëroi për nisjen e aksionit kombëtar, prezantoi edhe detajet për organizimin, së bashku me planin e masave që do të ndërmerren. Ai nuk ngurroi të japë edhe shembuj për rastet abuzive, duke garantuar se ky sektor do të jetë i kontrolluar në formë elektronike. “Do të ashpërsojmë masat, duke vendosur penalitete shumë të rënda për çdo abuzues.
Synimi i këtij operacioni është të mbrojmë të gjithë shqiptarët që përdorin naftë. Kjo është një mbrojtje e drejtpërdrejtë e konkurrencës së ndershme dhe e pastrimit të fushës nga tentakulat e një konkurrence të pandershme, së cilës ne i kemi prerë disa koka, por jo të gjitha, prandaj tentakulat vazhdojnë të lëvizin”, tha Rama. Ai shtoi se, karburanti as nuk do të përzihet dhe as nuk do të reduktohet. “Kanë bërë një shpikje ata që sot na kërkojnë llogari ne, që nuk e ka asnjë vend në Evropë. Ndërkohë që pompat e karburanteve duhet të raportojnë online dhe të jenë të kontrollueshme elektronikisht, kanë futur dhe një pompë manuale që është pompa rezervë dhe e përdorin pikat e shitjes. Përfytyroni vetë se ç’bëhet në atë pompën me dorë nëse nuk punon ajo elektronikja”, u shpreh Rama.

Mekanizmi

Kryeminstri tha se, koordinatorë të operacionit që sapo ka nisur, do të jenë Ministria e Energjisë, e Financave, e Ekonomisë dhe ajo e Brendshme. Po ashtu në përbërje të tij do të jenë të gjitha institucionet që kanë lidhje me këtë treg, që nga institucionet kontrolluese, tek ato fiskale dhe deri tek Policia e Shtetit. “Kjo e fundit, do të jetë pjesë njësoj si në operacionin e energjisë, për të garantuar deri në fund që kush kapet në shkelje të ligjit dhe në grabitje të konsumatorit, të ndëshkohet sipas ligjit”. Ky mekanizëm sipas Ramës, do të garantojë të dhëna në kohë reale.

“Ajo që rezulton nga deklaratat e importit, përpara se të dalë në qarkullim, të jetë e njëjtë me atë që shitet. Shpesh ajo që shënjohet në magazinën portuale nuk është e njëjtë me atë që shitet, sepse brenda futen lëndë; ai holluesi i famshëm, a ku e di unë çfarë i shkon në mendje shqiptarëve për të futur, për t’ia futur tjetrit. Dëm kolosal për ekonominë, për familjet e konsumatorët që mendojnë se e ushqejnë makinën me lëndën e duhur. Nafta jonë ka arritur të thyejë edhe garancitë e Mercedesit, këputet edhe bëhet si Skoda brenda tre vjetësh. Do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë administrative dhe penale, çdo shitje do të raportohet online. Ne ndërtuam sistemin online ku raportohet çdo shitje, dhe çdo shkelje e konstatuar në shitje do të ndëshkohet”, – deklaroi kryeministri.

Pikat e jashtëligjshme

Kreu i qeverisë tha se, operacioni do të shtrihet edhe për të parë ligjshmërinë e hapjes së pikave të karburanteve, duke thënë se ka shumë që janë hapur në shkelje me ligjin, që përcakton distancat përmes pikave. Po ashtu Rama tha se kontratat e qeverisë me kompanitë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës nuk do të jenë më me kompani që kanë shkatërruar vendbanime, duke iu referuar kështu në mënyrë të nënkuptuar “Bankers Petroleum”, e cila shkaktoi katastrofë mjedisore në fshatin e Marinzës në Fier. “Për çdo pikë karburanti do të bëjmë edhe kontrollin e ligjshmërisë mbi bazën e së cilës janë dhënë lejet që janë në kundërshtim me ligjin, që ndalon në 20 metra në anët e dy rrugëve në ato nacionale të ketë karburante. Fushat e naftës i jepeshin fantazmave që pastaj i shqyenin, duke i bërë atë që asnjë pushtues nuk do t’ia bënte.

Ne do të pranojmë vetëm kompani të njohura”, tha Rama. Ai sqaroi se operacioni për naftën do të jetë i njëjtë si ai që qeveria ndërmori ndaj lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. “Këto operacione janë pjesë e planit tonë për të çuar më tutje një proces që pasoi natyrshëm ndaljen e hemorragjisë që ishte pjesa më e parë e mandatit tonë qeverisës. E gjetëm vendin si një trup të shtrirë përtokë që kullonte gjak nga të gjitha anët, nga cdo organ vital, nga cdo sektorë. Nuk ka një sektor ku mund të thuhet se 18 muaj më parë gjendja nuk ishte hemoragjike. Sektori i energjisë, që është zemra e ekonomisë, ishte shëmbëlltyra më kuptimplotë e kësaj hemoragjie asfiksuese. Kemi marrë masat që të kemi në dorë instrumentet e nevojshëm që hemoragjia të ndalet”, -u shpreh kreu i qeverisë.

“Me Marinzën është spekuluar politikisht”

Strategjia për rregullimin e tregut në sektorin fitimiprurës të hidrokarbureve parashikon që çdo impiant të licencohet vetëm për ato lloj produktesh që duhet të prodhojë dhe jo më të marrë naftë bruto e të shesë produkte, të cilat dëmtonin mjedisin dhe qytetarët. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, raportoi dje se parashikohet gjithashtu që brenda vendit të arrihet të përpunohen 600 mijë tonë naftë bruto, ose gjysma e sasisë së naftës që nxirret në vend. Duke folur për masat ndëshkuese, ministri Gjiknuri la të nënkuptohej se shkeljet që do të zbulohen te abuzuesit e naftës, do të pezullojnë aktivitetin e subjekteve. “Masat ndëshkuese do të jenë të tilla që kushdo që të jetë, nëse i shkon mendja të abuzojë me karburantin, kudo që të jetë në Shqipëri, ta ketë shumë të vështirë. Nga ana tjetër, vetëm gjatë vitit 2014 janë pezulluar 75 subjekte, të cilat kanë pasur probleme teknike për sa i përket cilësisë së karburanteve, por edhe problemeve të tjera të sigurisë teknike. Këto masa kanë ardhur pikërisht për shkak të rritjes së intensitetit të kontrolleve”, tha Gjiknuri.

Auditimet

Duke iu referuar shpërthimeve që ndodhën në fshatin Marinëz, një muaj më parë, por edhe shqetësimeve të publikut për cilësinë dhe tregun e naftës, ministri i Energjisë dhe Industrisë tha se ka pasur një përpjekje për të spekuluar mbi incidentin e ndodhur në 1 prill. “Pavarësisht se ka pasur përpjekje për të spekuluar politikisht, edhe në ngjarjen që ndodhi në Marinëz, shteti ynë veproi në kohë dhe në mënyrën e duhur. Shteti nuk mund të flasë me opinione që vijnë nga gazetat, as me opinione të momentit. Shteti bën një investigim të qartë dhe nxjerr konkluzionet e veta teknike mbi të cilat ngarkon kompaninë edhe me përgjegjësi. Ai proces po vazhdon, sot që flasim po veprohet me procesin e dëmshpërblimit, ashtu sikurse ngarkohet me përgjegjësinë e saj kompania”, deklaroi ai. Paralel me fjalën e ministrit, banorët e fshatit Marinëz kanë protestuar sëërish para zyrave të kompanisë “Bankers” duke demonstruar nëpërmjet derdhjes së produkteve të bulmetit, se gjithçka në këtë tokë është e helmuar dhe situata nuk ka gjetur zgjidhje.

I shpallim luftë evazionit, standardizojmë tregun

Situata e krijuar gjatë këtyre viteve tregoi se ato organe që kanë për detyrë mbikëqyrjen e tregut, nuk garantuan sasinë dhe cilësinë për konsumatorin përmes sigurisë së produkteve. Ndërkohë, ka edhe produkte të falsifikuara e përzierje, të cilat vijojnë të qarkullojnë. Duke pohuar gjendjen, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se operacioni synon të standardizojë tregun e hidrokarbureve dhe të luftojë evazionin. “Produktet e falsifikuara dhe përzierjet kanë vazhduar të qarkullojnë. Në mjediset e tregtarëve të karburanteve është folur dhe përfolur për magazina-laboratorë, të cilat denatyronin produktet nëpërmjet përzierjes. Kjo e vërtetë, edhe sikur të jetë në përmasa të vogla, është një tregues i qartë për dobësinë e organeve shtetërore ndaj “të fortëve” të hidrokarbureve që kanë abuzuar”.

Sipas tij, në këto kushte do të jetë e vështirë që të ketë një harmonizim dhe unifikim në garantimin e konkurrencës së ndershme, por është detyrë e Ministrisë së Financave për vënë tregun në kontroll. “Në vite, trajtimi selektiv i subjekteve, si dhe prishja e ekuilibrave në treg në favor të përqendrimit të tij në pak shoqëri grosiste, çmimet dhe parametrat mjedisorë kanë reflektuar në përkeqësimin e situatës së biznesit. Ministria e Financave ka detyrën dhe do të realizojë bashkëpunimin për kontrollin e tregut”. Kreu i kësaj ministrie garantoi se do të kontrollohet çdo hallkë e zinxhirit. “Strukturat e ngritura në tregun e karburantevekanë evidentuar edhe një kategori shoqërish, të cilat mund të kategorizohen si shitës me shumicë, por që nuk importojnë vetë dhe këto subjekte do të kontrollohen në çdo hallkë të tyre. Nuk kemi qëndruar duarlidhur gjatë kësaj kohe, sepse strukturat tona janë angazhuar për të mbikëqyrur sipas ligjit sektorin e hidrokarbureve”, tha Cani.

Rritet niveli i taksave

Raporti për katërmujorin e parë të vitit 2015 tregon se është shtuar me 10 për qind, sasia e hidrokarbureve të deklaruara. Në këtë kuadër, ministri i Financave parashikon, se edhe prej operacionit që do të ndërmerret, të ketë një shtim shumë më të madh të sasisë dhe të nivelit të taksave që do të paguhen nga industria e karburanteve.

“Nuk do të jetë e largët dita, menjëherë pas këtij operacioni të gjerë, kur shqiptarët të mos e veçojnë më karburantin shqiptar nga ai i shteteve të përparuara rajonit. Do të jetë i njëjti në standard, cilësi, peshë dhe taksa të paguara, sipas ligjit”, deklaroi Cani. Sipas ministrisë, shoqëritë e hidrokarbureve dhe disa rafineri apo minirafineri që janë fiskalizuar ose janë në proces të fiskalizimit, raportojnë dhe do të raportojnë së shpejti sasinë e prodhuar online te administrata e tatimeve apo e doganave. Gjatë kryerjes së procesit të markimit, punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave marrin pjesë së bashku me punonjësit e markimit dhe rezultatet e kontrolleve do të monitorohen online nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Java e 32-të

Për periudhën 23 qershor 2014- 30 prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2438, nga ku 2169 ose 89 për qind kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11 për qind nuk janë gjetur në rregull ose me shkelje. Interesant është edhe fakti tjetër që nga rastet me shkelje, 194 janë konstatuar me karburante të përziera dhe 75 subjekte kanë refuzuar kontrollin. Këto rezultate bëhen publike nga Ministria e Financave, e cila pohon se ka një kontroll të plotë në tregtinë me pakicë të hidrokarbureve. Gjatë periudhës në fjalë është rritur edhe deklarimi i shitjeve dhe kontrolli i tyre. Në fushën e regjistrimit të kuponëve tatimorë në pajisjet fiskale në tregun e shitjes me pakicë të karburanteve në vitin 2012 numri i kuponëve fiskalë ishte 32,8 milionë, në 2014 numri i tyre ka arritur në rreth 42 milionë./ Shekulli.com.al

Lajme të ngjashme

Back to top button