Qeveria kundër BE-së për liberalizimin e tregut të energjisë

Liberalizimi tregut të energjisë elektrike është çështje debate në Maqedoni dhe se kërkohet, por Qeveria e Maqedonisë po zvarrit këtë proces. Bashkësia Evropiane Energjetike (European Energy Union) i ka dhënë Qeverisë nëj afat prej dy muajve që të kryejë liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, shkruan IBNA.

“Vendimi i Qeverisë për të shtyer hapjen e plotë të tregut për energjinë elektrike dhe pamundësisë që konsumatorët të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë është edhe një refuzim i radhës nga pushteti aktual, i cili nuk pranon detyrimet si vend që ka firmosur Marrëveshjen për Bashkësi energjetike si pjesë e legjislativit të BE-së. Ky trend i refuzimit shihet qartë dhe se po manifestohet përmes shkeljes së disa rregullave të marrëveshjes”, nënvizohet në një mendim të Sekretariatit ptë EEU-së lidhur me Maqedoninë.

Në këtë mendim më tej thuhet se edhe Ligji i miratuar për energjetikë në tetor të 2014 pamundëson që bizneset e vogla dhe amvisëritë apo qytetarët që të kenë të drejtën për të zgjedhur se nga kush duan të furnizohen me energji elektrike, por ata janë të detyruar që të vazhdojnë furnizimin nga kompania aktuale EVN Maqedonia që mban monopolin me energji elektrike.

EEU kërkon që Maqedonia në afat prej dy muajve të realizojë procesin e liberalizimit të energjisë elektrike, një detyrim që ishte dashur të hyjë në fuqi në janar të 2015.

Por qeveria ka bërë analizën e saj lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke vendosur që liberalizimi të ndodhë pas 18 muajve.

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri thekson se Maqedonia është një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të tregut të liberalizuar të energjisë.

“Ne nuk jemi për opsionin që të ketë liberalizim të plotë të tregut të energjisë elektrike, për shkak se me këtë do të ndodhë rritja e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë. Ne edhe tani po shohim se çmimi i tanishëm i energjisë elektrike është shumë i lartë për qytetarët dhe prandaj kemi vendosur që të shtyjmë procesin e liberalizimit për një periudhë prej 18 muajve. Ne kemi përgatitur një ekip ekspertësh dhe vazhdimisht po bëjmë analiza për efektet që do të ketë liberalizimi. Ne mendojmë se vendimi ynë është në përputhje edhe me kërkesat e qytetarëve”, theksoi ministri Bekim Neziri.

Partia opozitare SDSM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase) e pyetur nga IBNA lidhur me këtë temë theksoi se Qeveria duhet të respektojë rekomandimet e EEU dhe të liberalizojnë tregun gjatë dy muajve të ardhshëm.

“Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë nuk mbrohet duke mos respektuar marrëveshjet me Bashkimin Evropian, por përmes rritjes së prodhimit vendor të energjisë, zvogëlimit të importit të energjisë elektrike dhe shfrytëzimit optimal të kapaciteteve vendore. Liberalizimi i tregut është një process që jep mundësi edhe për çmime më të ulta dhe ku ngushtohet hapësira për manipulime dhe korrupsion”, kanë theksuar në sqarimin me shkrim nga SDSM.

Qytetarët kërkojnë që të ndodhë liberalizimi sepse ata vlerësojnë se në këtë mënyrë shpresojnë që të ketë konkurrencë edhe të çmimeve.

Velko S, economist thekson për IBNA se liberalizimi duhet të ndodhë sepse shtohen shpresat për uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët, sidomos qytetarët që paguajnë sipas tij fatura të larta. “Ne për momentin si qytetarë paguajmë fatura të larta dhe se Maqedonia është një nga vendet që paguan më shtrenjtë. Nuk mundet që në një vend të Bashkimit Evropian të paguhen fatura mesatare të energjisë, ndërsa në vendin tonë me standard të ulët jetësor të paguajmë fatura të shtrenjta. Andaj shpresojmë dhe kërkojmë që të ndodhë liberalizimi, sepse do të rritet konkurrenca dhe do të hiqen monopolet e kontrollit të tregut dhe çmimit”, theksoi Velko.S.

Ndërprerja e procesit të liberalizimit të tregut ka ndodhur kur disa kompani të mëdha vendore kishin nisur firmosjen e marrëveshjeve me kompanitë energjetike sidomos EVN Maqedoni për furnizim me energji me çmime më të lira për 30 për qind.

Lajme të ngjashme

Back to top button