Ministri Jashari nuk e di se dikasteri i tij kërkon ekstradimin e Demirit dhe Ismailoviqit

Ministria e Drejtësisë, pa njohurinë e ministrit Adnan Jashari, i ka dërguar kërkesë urgjente Ministrisë homologe të Kosovës për ekstradimin e dy të akuzuarve për rastin “Monstra”, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq. Dokumenti i siguruar nga televizioni Alsat M mban firmën e udhëheqëses të sektorit për ndihmë ndërkombëtare juridike Verka Cvetanovska, nga radhët e VMRO DPMNE-së. Kërkesa urgjente është dërguar më 27 prill të këtij viti, ndërsa dokumenti zbulon se kjo është kërkesa e 4-rt për ekstradim brenda këtij viti. Dokumente të ngjashme janë dërguar edhe më 26 janar, 27 shkurt dhe 14 prill, por janë injoruar nga pala kosovare.

“Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë ka nderin që t’i dorëzojë Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, aktpadinë me propozimin për vazhdimin e masës së paraburgimit nr. 36/2012 të datës 26.10.2012 nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Gjykatës Themelore Shkupi I, me kërkesë që qytetarët e Maqedonisë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq të ekstradohen në Maqedoni. Meqenëse nuk është marrë përgjigje deri tani, megjithë letrat urgjente të dërguara më 14.04.2015, 27.02.2015 dhe 26.01.2015, ju lutim që në afat sa më të shkurtër të na njoftoni nëse keni vendosur në bazë të kërkesës sonë për ekstradimin e të lartpërmendurve” – thuhet mes të tjerash në dokumentin e dërguar.

Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari theksoi se kërkesa është bërë pa dijeninë e tij. Ai tha se procedura e filluar në vitin 2012 për ekstradimin e të akuzuarve tani po udhëhiqet nga sektorët përkatës të dy ministrive. Megjithë procesin e filluar 3 vjet më parë, ekstradimi nuk është realizuar për shkak të këmbënguljes së Ministrisë kosovare të Drejtësisë, që bashkë me kërkesën për ekstradim të dorëzohen edhe prova për përfshirjen e të akuzuarve mbi veprën penale, siç parashikon e drejta ndërkombëtare. Ndërkaq, sot mbushen plot 3 vjet nga aksioni policor “Monstra”.

Më 1 maj të vitit 2012 u arrestuan 20 persona në Shkup dhe Kumanovë, mes tyre edhe disa gra. 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button