Së shpejti rikonstruim i Qeverisë?

Rikonstruim i kabinetit të kryeministrit Nikolla Gruevski pritet të ndodhë javën që vjen, ndërsa emri i ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ai i Transportit, Mile Janakieski, tani për tani flitet se janë emrat e sigurt që në të ardhmen, nuk do të jenë pjesë e Qeverisë. Edhe pse gjithçka pritet të dihet në Kongresin e 15-të me radhë të VMRO-DPMNE-së, më 2 dhe 3 maj në Kumanovë, zyrtarë të partisë së Gruevskit thonë se, Qeveri Teknike ose Kalimtare siç kërkon LSDM, nuk do të ketë, por do të ketë ndërrim ministrash, sidomos ata më të përfolurit në përgjimet që po publikon lideri opozitar Zoran Zaev, njofton gazeta Koha.

Në Kryesinë e ngushtë të VMRO-së, thonë burime të afërta të kësaj partie, po diskutohet edhe për shkarkimin e drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, si njëra ndër kërkesat kryesore të LSDM-së, megjithëse ka dilema nëse Mijallkov duhet të shkojë ose jo. Një gjë është e sigurt – rikonstruim do të ketë edhe në radhët e ministrave të partnerit qeverisës, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Në BDI nuk kanë vendosur akoma se emri i cilit ministër mund të largohet nga kabineti qeveritar, por njëjtë sikur VMRO, edhe partia e Ahmetit do të marrë përgjegjësi për krizën aktuale. Madje, zyrtarë të kësaj partie nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj teme.

“Emrat më të përfolur në përgjimet e LSDM-së mund të shkarkohen nga posti, e ai është Mile Jankieski dhe Gordana Jankullovska, megjithëse edhe ministri i Financave nuk është i sigurt në këtë post, derisa të zgjidhet kriza politike. Ose, deri sa të zbutet e njëjta. Për drejtorin e DSK-së diskutohet në Kryesinë e ngushtë të VMRO-së, ndërsa gjatë Kongresit do të dihet gjithçka”, thonë burime në VMRO, duke shtuar se pozicioni i Jankullovskës si njeri i parë i policisë dhe ai i Mijalkovit si i pari i shërbimit sekret do të duhet të zëvendësohet me personalitete që janë të pranueshëm edhe për opozitën.

Me shkarkimin e këtyre zyrtarëve, në VMRO janë të bindur se plotësohet edhe kushti i parë i Uashingtonit dhe Brukselit për “dhënie përgjegjësie morale”, si dhe do të mund që LSDM të kthehet në karriget e Parlamentit, ku edhe do të vazhdojë dialogu për mëtutje. Dorëheqjet e zyrtarëve qeveritar janë edhe njëri ndër kushtet që në takime të mbyllura me eurodeputetët, përmendet mos-marrja e rekomandimit për fillimin e bisedimeve me BE-në në tetor të këtij viti nga Komisioni Evropian. Njëherësh, shkarkimi i ministrave të sipërpërmendur mundëson edhe kompromisin e parë që VMRO e bënë në drejtim të lëvizjes nga pika zero e bisedimeve me opozitën.

Në fazën e dytë, siç raportojnë disa nga mediat në Shkup, do të formohet edhe Komisioni anketues në Parlament, ndërsa synohet edhe ndërrimi i Prokurorit të Përgjithshëm, ose formimin edhe të një posti në prokurori sipas modelit kroat USKOK, post ky që do të merret vetëm me aferën e përgjimeve. Kjo fazë nuk do të anashkalojë edhe Radiotelevizionin e Maqedonisë, të cilët opozita vazhdon të etiketojë si dorë e pushtetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button