Prindërit do ta padisin MASH-in: fëmijët fotografohen pa lejen tonë

Prindërit e disa shkollave fillore të Gostivarit ankohen se fëmijët e tyre janë fotografuar nga disa persona si dhe iu kanë marrë të dhënat personale, kurse ata nuk janë informuar fare për këtë.

Madje thonë se do ngrenë procedurë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), pasi që sipas tyre është dashur të njoftohet lidhur me këtë projekt për të cilin ende nuk kanë informacion.

“Po është e vërtetë që ishin disa persona dhe kishin leje nga MASH-i për t’i fotografuar fëmijët. Ata bënë fotografimin në grupe dhe pastaj një nga një i fotografuan nxënësit. Nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë dhe nuk kishte hapësirë për njoftimin e prindërve dhe lejuam këtë për shkak se kishin leje nga MASH-i. Unë jam e punësuar në këtë shkollë si dhe fëmijën kam nxënës këtu dhe ende nuk e di se për çfarë bëhet fjalë”, tha për Portalb, një e punësuar në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në Gostivar.

“Ka disa ditë, që nëpër shkolla vjen një gjerman dhe një përkthyes dhe i fotografojnë fëmijët në shkollat fillore një nga një, prindërve nuk i është dhëne informacion. Disa thonë se do t’i bëjnë shkollat me kartela, edhe për ketë duhet leje nga prindërit për fotografim, pasi që fotografohen personat largohen. Pse drejtoret lejojnë në gjë të tillë dhe pse komuna nuk ka bë asgjë zyrtare për këtë hesht. Thuhet se prindërit maqedonas kanë filluar një procedure por nuk e dimë saktë. Dje është bërë fotografimi në shkollën fillore Ismail Qemali, para disa ditëve ne shkollën Goce Delcev”, ankohen prindërit.

Memorandum i MASH-it 2Memorandum i MASH-it

Nga MASH nuk japin sqarime lidhur me aktivitetin në fjalë i cili sipas një memorandumi që arritëm ta sigurojmë, bëhet fjalë për një projekt me një firmë të huaj.

Ish Ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti thotë për Portalb se në raste të tilla secili prind mund të dyshojë që bëhet fjalë për ndonjë rrjet ndërkombëtar kriminelësh.

“Askush nuk ka të drejtë t’i fotografojë dhe t’i marrë të dhënat e fëmijëve pa leje me shkrim të prindërve. Vlerësoj se është lëshim shumë i madh i institucioneve përkatëse, MASH, komunës pastaj edhe drejtorive. Prindërit janë të shqetësuar me të drejtë sepse nuk dihet qëllimi i këtij fotografimi. Në raste të tilla secili prind mund të dyshojë që bëhet fjalë për ndonjë rrjet ndërkombëtar kriminelësh. Për çfarë arsye fotografohen? Për çfarë nevojash? Kjo është një shkelje e rëndë dhe duhet kompetentët të japin me shpejt përgjigje”, tha Rushiti.

Nga ana tjetër Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti sqaron se prindërit kanë të drejtë të shqetësohen, por nuk mund të flet për një rast për të cilin nuk ka informacion.

“Për momentin jam jashtë vendit dhe nuk e di se për çfarë bëhet fjalë. Mirëpo tingëllon si diçka mjaft serioze dhe prindërit kanë të drejtë të brengosen për fëmijët e tyre. Sapo të kthehem do angazhohem dhe do të merrem me këtë rast me qëllim që të zbardhet ajo se për çfarë bëhet fjalë”, tha për Portalb, Mehmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button