Prishtina i dha titullin e parë ndërkombëtar Kosovës

Sigal Prishtina ka arritur suksesin më të madh në histori të basketbollit kosovar duke u shpallur fitues i Ligës Ballkanike. Klubi i kaltër nga kryeqyteti ka hyrë në histori si klubi i parë kosovar që fiton titull në një garë rajonale, pasi mposhti Rilskin me rezultat 80 me 71. Prishtina titullin e Ligës Ballkanike e fitoi dhe do ta festojë sot në qytetin bullgar që për shumë prishtinas ishte i panjohur deri vonë, në Samokov. Nga Samokovi është skuadra Rilski Sportist, të cilën Prishtina e mposhti në finale të Ligës Ballkanike. Ndeshjen e parë, të luajtur të martën e kaluar në palestrën e stërmbushur me shikues në Prishtinë, e fitoi kampionia e Kosovës me dy pikë dallim, 74:72. Fitorja u festua, por jo edhe shumë. Çereku i parë përfundoi me rezultat 26 me 22 në të mirë të Rilskit. Te Prishtina më i miri në këtë çerek ishte Edin Bavçiq me tetë pikë të shënuara. Atij i ndihmoi edhe Jordan Huls me tre pikë. Anthony Gugino në çerekun e parë ishte më i miri te Rilski me 11 pikë të shënuara. Me gjashtë pikë u dallua Vernon Taylor. Prishtina për herë të parë kaloi në epërsi në çerekun e dytë kur pas gjuajtjeve të lira kishte vetëm një pikë epërsi 26 me 27. Kampioni i Kosovës në këtë çerek kishte epërsinë deri në gjashtë pikë, por bullgarët barazuan rezultatin në 32 me 32. Në fund të këtij çereku Prishtina me një mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të organizuara nga Dardan Berisha dhe Jordan Hulls rikthyen epërsinë 36 me 38 që ishte edhe rezultati përfundimtar i pjesës së parë të finales së dytë. Bavçiq shtoi edhe dy pikë tjera për të realizuar 10 pikë në çereket e para ndërsa shtoi edhe katër kërcime. Mavunga ishte koshashënuesi më i mirë me 11 pikë kurse Hulls me 7 pikë. Prishtina ishte më e mirë edhe në periudhën e tretë. Klubi kryeqytetas në dhjetëminutëshin e tretë shtoi epërsinë edhe për tre pikë. Rezultati pas çerekut të tretë ishte 57 me 52. Bojan Trajkovski ishte më meritori duke bërë dy bllokada. Në çerekun e fundit Prishtina mbajti epërsinë dhe ngadalësoi edhe tempon e lojës. Trajkovski dhe Hulls u treguan mjaft efikas me gjuajtjet e tyre ndërsa edhe Mavunga realizoi një treshe për të siguruar epërsinë deri në 17 pikë që ishte e paarritshme për Rilskin. Koshashënuesi më i mirë në ndeshje për skuadrën e Prishtinës ishte Jordan Hulls me 22 pikë, që u ndihmua nga Julian Mavunga me 16 pikë. (Koha.net)

Lajme të ngjashme

Back to top button