A do të jetë ky fundi i Qeverisë së Maqedonisë?

Tre muaj pas zbardhjes së “bombave” të liderit të opozitës, Zoran Zaev, të cilat kanë arritur numrin 27, ende nuk kemi parë që të apostrofuarit në bisedat e përgjuara si dhe prokurori publik të japin dorëheqje, duke plotësuar kështu kërkesat e opozitës për Qeveri teknike. Madje ata kanë hasur në vesh të shurdhër edhe pas thirrjes për dorëheqje nga ana e ambasadores gjermane në Shkup, Kristin Althauzer apo të ndërkombëtarëve të tjerë të cilat me doreza diplomatike kanë kërkuar të ngjashmen, si bazë për zbatimin e një hetimi transparent dhe të tërësishëm ndaj akuzave që dolën nga afera e përgjimeve.

Zaev gjatë “bombës” së fundit paralajmëroi që në maj do të ketë protesta “të mëdha” të cilat sipas tij, nuk do të jenë vetëm “erdhëm, protestuam dhe shkuam” mirëpo ata do të shkojnë “deri në fund”. Madje, bëhet e ditur se opozita seriozisht mund të stacionohet para Qeverisë, duke vëndosur kampin atje.

Çfarë do të thotë “shkojmë deri në fund”?

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Qeveria aktuale mund të rrënohet vetëm me protesta masive të popullatës.

Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska thotë për Portalb, se kjo qeveri mund të rinohet vetëm me demonstrata masive si dhe me bllokimin e instituteve.

“Kjo qeveri mund të largohet vetëm me mos dëgjimin e gjerë të qytetarëve, me demonstrata masive, me bllokimin e institucioneve, si dhe me ndalesën e parave të hyra nga jashtë, e cila gjë mundëson blerjen e qytetarëve”, tha Najçevska.

Ajo shtoi se kjo qeveri nuk është demokrate dhe nuk mund të rinohet me përdorimin e procedurave demokratike.

“Kjo qeveri nuk është demokrate dhe nuk mund të rrënohet me përdorimin e procedurave demokratike. Kjo qeveri shkatërroi drejtësinë dhe për këtë nuk mund të rrënohet me anë të procedurave juridike. Kjo qeveri nuk mban përgjegjësi, prandaj nuk mund të rrënohet me thirrje për përgjegjësi nga ana e përfaqësuesve të saj. Kjo qeveri tani më nëntë vite po gënjen dhe mashtron qytetarët, kështu që vetëm me ato masa që ceka më herët mund të arrihet një gjë e tillë”, shtoi Najçevska.

Për profesorin universitar Mersel Bilalli, kjo qeveri është duke numëruar ditët e fundit.

“Mendoj se qeveria me Nikolla Gruevskin në krye tani më i numëron ditët e fundit. Këso mesazhe pa kurrfarë dorëzash diplomatike u drejtohen regjimeve që u ka ardhur fundi. Mendoj se rezistenca e kryeministrit nuk ka të bëjë me atë se ajo ka shpresa edhe më tej të mbijetoj. Ai e di mirë se s’ka më jetë për të, por ai ndërton pozicione sa më të forta biseduese që ta shpëton veten dhe mundësisht një pjesë të madhe të kapitalit të grumbulluar nga krimi i organizuar”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se në pjesën e parë të muajit maj pritet të krijohet një qeveri kalimtare.

“Grushtin e fundit qeveria do ta marrë në pjesën e parë të muajit maj, pas së cilit pritet qeveri kalimtare. Pra, priten protesta masovike me mbi 50.000 njerëz dhe ata do të jenë të pandërprera”, shtoi Bilalli. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button