Një romantik i pashpresë, a je ti i tillë?

Ky shkrim u dedikohet atyre që dashurojnë me zjarr, jetojnë me pasion dhe nuk heqin dorë nga dashuria, sado që ajo na i thyen zemrat. Është për ëndërrimtarët, kërkuesit e së vërtetës dhe mbrojtësit e dashurisë së kësaj bote. Ti ndoshta je i vetmi ose e vetmja beqare e grupit të miqve, ose ke qenë për pjesën më të madhe të kohës dhe kjo nuk ka kuptim as për ty, as për të tjerët.

Ti je një person shumë tërheqës: ambicioz, pasionant, inteligjent, i zgjuar dhe me një pamje aspak të keqe.

Je një njeri i pavarur dhe e njeh shumë mirë veten, por dashuria nuk të ndodh, siç u ndodh të tjerëve. Kur gjërat nuk funksionojnë, ti pyet veten: mos jam i apo e mërzitshme? Mos jam shumë i apo e ngjitur dhe obsesive? Mos jam shumë emocional? Mos jam i ndrojtur? Mos jam shumë i mirë?

Vetë fakti që po ia bën vetes këto pyetje të lë ndjesinë që mund të jetë e vërtetë.  Po pse, krim është që interesohesh për të tjerët? Ti je ai lloj njeriu që jep gjithçka nga vetja, që jepesh me mish e me shpirt. Ti je fëmija që je rritur duke besuar në përrallat romantike dhe je zhgënjyer shumë shpejt, por asnjëherë nuk ke hequr dorë.

Miqtë të thonë shpesh mos të falësh zemrën shumë shpejt dhe të rrish syhapur sepse do ngelesh me zemër të thyer, por ti vazhdon njëlloj sepse është natyra jote. Je mbrojtës i dashurisë dhe jep gjithçka që mundesh në emër të saj. E vërteta është që, zemra jote thyhet vazhdimisht.

Miqve të tu u vjen keq sepse e dinë që ke një zemër të madhe dhe njerëzit përfitojnë nga kjo. Ata të mbështesin, por edhe ndërhyjnë kur u ka ardhur në majë të hundës dobësia jote. Ata nuk durojnë dot të të shohin të lënduar, megjithatë ti je mësuar, sepse e di që sa herë që të biesh do çohesh përsëri. Ti ngelesh i hapur ndaj shanseve dhe thjesht do të shijosh shoqërinë e një personi tjetër. Marrëdhëniet janë thelbësore në jetën tënde dhe ato mund të çojnë drejt një kryevepre. Ti e di që ky kërkim i pareshtur i dashurisë dhe lumturisë mund të jetë dëmtuese për shpirtin tënd, por ti e provon.

Njerëzit mendojnë që nuk ke fat në dashuri, por ti e sheh në një dritë krejt tjetër. Ajo çfarë të tjerëve mund t’u duket si një zgjedhje e keqe, ti e sheh si një mundësi për dashuri. Edhe kur marrëdhëniet të lënë ndjenjën sikur sapo të ka goditur treni, ti nuk ke pengje. Ato të japin një përvojë të pasur dhe ti nxjerr mësime për veten dhe jetën. Ato të kanë bërë më të plotë. Optimizmi të bën të veprosh njëlloj përsëri. Në fillim, kishte pak rezistencë, por ti ke besim që një ditë, do gjesh vajzën ose djalin e duhur dhe e vetmja mënyrë për të shkuar te ajo ose ai është të provosh. Për ty të jesh në një marrëdhënie nuk është përparësia e jetës sepse ti kupton rëndësinë e ëndrrave.

Ti je i apo e apasionuar pas asaj që bën. Ti je i apo e dashuruar me çdo aspekt të jetës. Ti jeton me krahët hapur. Ti ke dhe një zemër cigane, që ka dëshirë të ikë sepse në çdo çast ti zhvillon dhe rindërton veten. Ti je gjithashtu njeriu që do lije gjithçka menjëherë për njeriun që do, pa e menduar dy herë. Jo sepse nuk e do veten mjaftueshëm, por sepse ëndrrat bëhen më të veçanta kur ndahen me dikë. Me sa duket, ti mëson të mos kënaqesh me pak dhe t’ia hapësh zemrën atij apo asaj që do bënte të njëjtën gjë. Vetëm që duhet të kalosh edhe disa postblloqe sa të shkosh atje dhe kjo e bën udhëtimin më të bukur. Ti asnjëherë nuk ke besuar te “i vetmi”, por te shumë njerëz të veçantë, që do ta zgjerojnë aq shumë zemrën sa do japësh më shumë. Kur ta gjesh njeriun special, thjesht dije sa me fat është ai ose ajo që të ka gjetur ty. Ti ke aq shumë dashuri për të dhënë dhe njeriu i duhur është ai që do të ta kthejë të gjithën. Mos u dorëzo, ai ose ajo mund të jetë pas derës. Thjesht duhet të vazhdosh ta besosh këtë.

Burimi: Revista Class

Lajme të ngjashme

Back to top button