Rrëzimi i avionit “MH17” ishte “paralajmëruar”, Gjermania nuk njoftoi kompanitë

Ditën kur fluturimi “MH17” u rrëzua mbi Ukrainë, avionë gjermanë pasagjerësh vazhdonin të lëviznin në lindje të këtij vendi.

Gazetarët investigativë të dy transmetuesve publikë, “WDR” dhe “NDR”, së bashku me kolegë të “Süddeutsche Zeitung” kanë zbuluar se qeveria gjermane kishte prova bindëse mbi kërcënimet që u kanoseshin avionëve civilë në Ukrainë, kërcënime që dështoi t’ua përcillte linjave ajrore vendase.

Të tilla pretendime dëshmohen qartë në raportet konfidenciale të Ministrisë së Jashtme në Berlin.

Fluturimi “MH17” i “Malaysia Airlines”, me 298 persona në bord u rrëzua 17 korrikun e vitit të kaluar në Lindjen e trazuar të Ukrainës, i qëlluar sipas të gjitha gjasave nga një raketë tokë-ajër.

Si ekzekutivi ukrainas, ashtu dhe vendet perëndimore dyshojnë fort, se avioni u godit nga separatistët mbështetës të Moskës, të cilët përdorën një sistem raketor rus. Kremlini pretendon se përgjegjësia e episodit fatkeq rëndon mbi forcat ajrore ukrainase.

Duke qenë se shumica e viktimave ishin shtetas holandezë, hetimin – që ende nuk ka përfunduar, – e drejtojnë autoritetet e këtij shteti. Deri tani ishte e paqartë se sa dinte realisht Berlini zyrtar mbi situatën e sigurisë në Ukrainën lindore.

Në një raport të qarkulluar më 15 korrik apo dy dy ditë përpara tragjedisë, Ministria e Jashtme gjermane shkruante se “gjendja në terren” përbën arsye për shqetësime serioze. Një pohim të tillë, dokumenti me mbishkrimin “Vetëm për përdorim të brendshëm” e argumentonte me rrëzimin asokohe të një avioni ushtarak “Antonov”, i cili fluturonte në 6000 metra lartësi.

Kjo, sipas memos së Ministrisë, e çonte në “një nivel të ri” sigurinë e lëvizjes ajrore mbi Ukrainë. Ekspertët ushtarakë e konsiderojnë rrëzimin e avionit “Antonov”, një tregues të qartë të faktit se mund të goditeshin edhe shënjestra në një lartësi të tillë kaq të madhe, çka nënkuptonte rrezik edhe për avionët e pasagjerëve.

Gazetarët investigativë kanë zbuluar gjithashtu se, në raportet e tij të përditshme për qeverinë, Shërbimi i Jashtëm gjerman i inteligjences, “BND”, përfshinte edhe paralajmërimet se hapësira ajrore mbi Ukrainë nuk ishte e sigurt./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button