Moskthimi i kontekstit ndëretnik

Ndonjëherë është pak që në një shkrim të vetëm të përcillet krejt ajo që mendohet se meriton të thuhet në momentin aktual prej gjendjes në vend. Sidomos kur këto ditë dinamika e zhvillimit të ngjarjeve është paksa e shpejtë dhe e shpeshtë, sikur që ndoshta i ka hije stinës së pranverës. Sidomos kur kjo pranverë, këtë herë, duket se do jetë lëvizëse për qeverinë e Maqedonisë. Ashtu në këtë pak mbetet të zgjedhim për të përcjellë më të rëndësishmen dhe njëkohësisht për të argumentuar shpresën se pse në këtë pranverë do mund të ketë ndryshim edhe në qeveri përveç se në atmosferë.

Pasi ky shkrim shkruhet nën zhurmën e helikopterëve që fluturojnë si duket për diku nëpër fshatrat malore të Karadakut të Shkupit dhe Kumanovës sigurisht që ajo që duket prirotare është diçka tani e kuptuar nga të gjithë: tendenca për të rikthyer kontekstin ndëretnik kur në Maqedoni zhvillohet një kontekst i madh qytetar i pavolitshëm për klikën udhëheqëse BDI dhe DPMNE.

Pasi qytetarët nga incizimet në kuadër të “bombave” kishin rastin që të mësojnë se këto dy ortakë qeveritar kanë bërë pazar efikas për gjëra që dukeshin se janë të patregtueshme politikisht, tani ata jo vetëm janë të bindur se kjo tendencë është e qëllimshme, por dyshojnë edhe në skenare konkrete destabilizimi. Kjo pasi dita-ditës shihet se njëra prej rrugëdaljeve të këtij regjimi është dhe mbetet kthimi i kontekstit ndëretnik nga i cili Nikolla Gruevski do mund të shpresonte se do mbrohej në saje të asaj se një pjesë e shoqërisë do ishte në mbrojtjen e tij në saje të mbrojtjes së pakushtimtë dhe pa shpjegim të shtetit.

Këtu do mund të argumentohej edhe ajo se nga vjen shpresa se këtu dhe tani kjo nuk do mund të jetë e suksesshme për të e as për regjimin e tij në dukje demokratik. Shpresa nuk është tek popullata e deklaruar si shumicë; maqedonasit, e të cilët tani në opozitën e tyre politike kanë fatin të kenë edhe parti politike e cila qëndron kundër kthimit të këtij konteksti; LSDM-në, por kryesisht tek qytetarët shqiptarë të këtij shteti. Ata të cilët nuk mund të thonë se janë politikisht të përfaqësuar, por që kanë sensin për të kuptuar se me çka kanë të bëjnë punë këtë herë e ajo është zori qytetar i regjimit që shihet se edhe ndërkombëtarisht dita ditës më shumë e më shumë është i izoluar.

Por, sigurisht kjo nuk është vetëm punë e atyre qytetarëve shqiptarë që banojnë në ato fshatra ku pa kurnjëfarë preteksti sillen vërdallë helikopterë dhe forca të mëdha policore por duhet të jetë angazhim më i gjerë shoqëror. Duke nisë nga partitë politike opozitare shqiptare e deri tek mediet dhe qeveritë e dy vendeve fqinje; Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu Kosova ka një rast të dëshmon shtetësinë e saj nëpërmjet informimit të rregullt dhe cekjes së këtij fakti edhe brenda opinionit në Maqedoni kurse Shqipëria për të parën herë të nisë të reagon kur shqiptarët e këtuhit diskriminohen edhe simbolikisht. Kjo e fundit duke reaguar për fyerjet dhe nënçmimin me të cilët emërtohen shqiptarët edhe atë nga vet gojët e zyrtarëve qeveritar të këtuhit. Ajo shpeshtësi dhe lehtësi e fyerjeve të shqiptarëve duhet dënuar institucionalisht edhe nga ana e shtetit shqiptar pasi janë dëshmi eklatante e përçmimit që herdo-kurdo do dale edhe në nivel individual edhe për dënim tek shqiptarët e këtuhit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button