fbpx

Tetovë, “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” me program të pasur kulturor

Është hera e tretë që këtë vit, në Tetovë, në datat 28, 29 dhe 30 prill, nën organizimin e shoqatës “Allegretto” do të zhvillohet manifestimi “Skena e muzikës serioze shqiptare”. Ky manifestim, jo vetëm që e vazhdon punën me qëllim krijimin e një tradite për promovim të muzikës klasike, por edhe vit pas viti e pasuron edhe më shumë repertorin e saj koncertal, me artistë nga vendi dhe jashtë.

Hapjen e edicionit të tretë të “Skenës”, më 28 prill, ora 19.30 në Qendrën për Kulturë, do ta bëjë Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, me dirigjent Gridi Kraja.  Kjo orkestër për publikun tetovar ka zgjedhur disa nga perlat e literaturës muzikore, duke përkapur larmi epokash dhe stilesh, që nga Rosini me Uverturën “La gazza ladra”, Puçini me Intermezzo-n e Mannon Lescaut, Rondoja Capriciosso e Saint Saens, e deri te Koncerti për Piano e Orkestër i kompozitorit shqiptar Fatos Lumani e interpretuar nga pianisti tetovar Shkëlzen Baftiari.

Për ta vazhduar këtë diverzitet, nata e dytë e festivalit, më 29 prill, ora 19.30, në sallën e Fakultetit të Arteve, nëpërmjet Kuartetit Corona dhe sopranos Nita Zenuni, i ofron publikut tonë vepra të zgjedhura me kujdes, vepra të cilat padyshim do reflektojnë te dëgjuesit kënaqësi dhe argëtim. Shfaqja e filmit dokumentar “Opera!” do ta bëjë mbylljen e këtij festivali, me datë 30 prill, po ashtu në ora 19.30, në Qendrën për Kulturë. Me çfarë vështirësishë përballet një muzikant profesionist këtu te ne dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e jetës muzikore, janë çështjet të cilat i trajton ky dokumentar.

Hyrja pёr manifestimin “Skena e muzikës serioze shqiptare” ёshtё e lirё. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit ky manifestim do të realizohet nën patronazhin e Kryetares së Komunës së Tetovës,  Teuta Arifi.

Programi

Lajme të ngjashme

Back to top button