Obama bie pre e “hacker”-ave rusë

“Hacker”-at rusë kanë mundur të sigurojnë akses në sistemin kompjuterik të Shtëpisë së Bardhë gjatë vitit të kaluar, si dhe kanë mundur të lexojnë disa email-e të paklasifikuara të Presidentit Barack Obama, ka raportuar “New York Times”.

Sipas raportit, sulmi kibernetik besohet të jetë edhe më i rëndë nga sa ishte pranuar më parë. Zyrtarët kanë pranuar tashmë se janë “vjedhur” edhe informacione të ndjeshme në sistemin e dokumenteve të paklasifikuara, të cilat janë aksesuar nga “hacker”-at.

Zbulimi i këtij sulmi kibernetik në Tetor të vitit të kaluar çoi në një mbyllje të pjesshme të sistemit elektronik të Shtëpisë së Bardhë.

“Hackerat, të cilët kanë hyrë thellë në sistemin e dokumenteve të paklasifikuara të Departamentit të Shtetit, nuk duken të kenë hyrë deri në serverat e ruajtur me kujdes maksimal, të cilët kontrollojnë trafikun e mesazheve elektronike nga telefoni BlackBerry i Presidentit Obama, e që mbahet ose prej tij ose nga një prej ndihmësve të tij vazhdimisht”, shkruhet në raportin e “New York Times”.

“Por, ata kanë mundur të sigurojnë akses edhe në arkivat elektronike të njerëzve brenda Shtëpisë së Bardhë, ndoshta edhe të disave jashtë saj, me të cilët Obama ka komunikuar rregullisht. Mes këtyre adresave të ‘hack’-uara janë parë email-e që Presidenti ka dërguar dhe ka marrë”.

Gazeta amerikane ka cituar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të thonë se rrjetet e informacioneve të klasifikuara nuk janë prekur dhe se asnjë prej këtyre dokumenteve me rëndësi nuk ka rënë në duart e “hacker”-ave.

Shumë zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë kanë nga dy kompjutera në zyrat e tyre, në të cilat punojnë ndarazi me dokumente tepër të klasifikuara, por edhe me komunikime të paklasifikuara, thuhej më tej nga “New York Times”.

Megjithatë, zyrtarët thonë se edhe mes këtyre informacioneve të paklasifikuara ka pasur gjëra të rëndësishme, përfshi programimin e takimeve, këmbime email-esh me ambasadorë dhe diplomatë, debate në lidhje me politikat e ndryshme, si dhe ndryshimet e personeleve apo legjislacioneve. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button