Qëllimi i sulmit: Kthimi i “vijës së kuqe”

Strategjia ushtarake që Obama është duke e shqyrtuar nuk ka lidhje me strategjinë e saj diplomatike për ta bindur Al-Assadin për t’u larguar nga pushteti dhe për ta ndalur luftën.

Qëllimi i sulmeve ajrore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë t’i ndërmarrin kundër Sirisë është kthimi i asaj “vijës së kuqe” që presidenti Barack Obama e kishte tërhequr një vit më parë kundër përdorimit të gazit nervor, ka shkruar “The New York Times”.

Nëse kryhen sipas planit, sulmet gjithashtu mund t’i çojnë një mesazh Iranit se Shtëpia e Bardhë është e përgatitur që t’i mbështesë fjalët e saj me vepra, diçka jo e vogël për një administratë që ka deklaruar se përdorimi i forcës ushtarake mbetet opsion nëse udhëheqja e Republikës Islamike këmbëngul të krijojë një armë bërthamore. Por, strategjia ushtarake që administrata Obama është duke e shqyrtuar nuk është e lidhur me strategjinë e saj më të madhe diplomatike për të bindur presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, për t’u larguar nga pushteti dhe për t’i dhënë fund luftës.

Edhe nëse në një ndërhyrje në Siri përfshihen edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara, opsionet që duken të jenë në shqyrtim nga Obama për Sirinë – nja dy ditë sulmesh ajrore nga të paktën katër shkatërrues të marinës amerikane në detin e Mesdheut – nuk do të përbënin atë lloj të fushatës së hapur që do të mund të shtynte Al-Assadin të negocionte për një kalim në një qeveri transitore.

“Lloji i sulmit që administrata duket të jetë duke e planifikuar do t’i demonstrojë Sirisë dhe të tjerëve se ekziston një dënim që SHBA-ja është e gatshme ta shqiptojë për shkeljen e vijave të kuqe amerikane dhe për shkeljen e normave ndërkombëtare”, ka thënë Richard Fontaine, kryetar i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane. Por, sipas tij, “sulmi me gjasë nuk do të bëjë shumë për të ndryshuar ekuilibrin e forcave në terren apo për të përshpejtuar përfundimin e konfliktit”.

Obama pak a shumë e ka pranuar një gjë të tillë, të mërkurën, kur e ka karakterizuar operacionin e mundshëm ushtarak si “paralajmërim” që do të kishte për synim ta parandalonte Al-Assadin nga përdorimi i armëve kimike në të ardhmen. “Kjo nuk i zgjidh të gjitha problemet brenda Sirisë, dhe as nuk e ndal vdekjen e civilëve të pafajshëm”, ka thënë kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Në konfliktet e kaluara, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë mbështetur në përdorimin e gjerë të forcës ajrore për të detyruar një udhëheqës të huaj represiv për të ardhur në tryezën e negociatave. Gjatë administratës Clinton, SHBA-ja dhe aleatët e saj nga NATO kanë kryer sulme të gjata ajrore kundër forcave serbe në Bosnjë, të cilat i kanë dobësuar ato deri në atë pikë sa që diktatori jugosllav, Sllobodan Millosheviq, është pajtuar më 1995 për një zgjidhje paqësore, bashkë me udhëheqësit e tjerë boshnjakë në një bazë të Forcës Ajrore Amerikane në Dejton të Ohajos. Në Kosovë, më 1999, një fushatë intensive ajrore e NATO-s, që ka zgjatur 78 ditë, ka çuar drejt një marrëveshjeje që ka detyruar forcat serbe të tërhiqen nga Kosova, tani e pavarur.

Por, në administratën Obama, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka ndjekur një strategji diplomatike, duke e theksuar vazhdimisht nevojën për të vënë Al-Assadin nën trysni për të ndryshuar “kalkulimin” e tij për aftësinë e tij për të mbetur në pushtet. Qëllimi i Kerryt është që të ndërmjetësojë një zgjidhje politike, sipas të cilës pushtetin do ta merrte një qeveri transitore. (Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button