Demokracia me dajak

Nëse diçka ndodh një herë, nuk është patjetër të përsëritet. Por, nëse ndodh për të dytën, ka gjasa të ndodh sërish.        
Fjalë e urtë arabe

Për ta shpjeguar funksionimin e Maqedonisë dhe derexhen tonë, mjafton të shihen ngjarjet e javës së fundit lidhur me Komisionin joparlamentar për shqyrtimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit brenda dhe jashtë Kuvendit. Fatkeqësisht, kjo është pasqyra më e përpiktë e deformimit tonë nën petkun demokratik. 

Fillimisht, qëndrimi i partisë së Kryeministrit ndaj ngjarjeve dhe raportit të hartuar me plot peripeci e dëshmon edhe një herë përgjegjësinë për fjalën e dhënë. Si edhe me Marrëveshjen e Ohrit dhe pastaj Marrëveshjen e majit dhe arranxhimet tjera, duket se manipulimi është pjesë e lojës. Me përvojën e rezultateve të vakëta dhe përfundime që nuk materializohen kurrë, tani mbetet të shihet se çka do të del nga dokumenti i radhës, që u zhvlerësua që në momentin e nënshkrimit.  
 
Në kaosin e deklaratave për zgjedhje të parakohshme, pishmanin pasues dhe relativizimin e dokumentit, e vetmja gjë që nuk habit është mungesa e partive shqiptare në këtë Komison. Kjo për arsye se tashmë është bërë praktikë që zyrtarët shqiptarë të mos përzihen në punët vërtetë të rëndësishme. Nëse kemi një ngjarje që ka ndodhur në Kuvend, ku 25 prej 123 deputetëve janë shqiptarë, si ndodh që ata të vetë-përjashtohen nga detyra thelbësore si kjo e Komisionit? 

Faktikisht, Komisioni është trupi i parë relevant ku legjitimohet vendim-marrja një etnike për çështje esenciale demokratike. Këtu faji nuk mund t’i hidhet tjerëve dhe kjo është rezultat i qëndrimit absurd të partive shqiptare, të cilat problemet e buxhetit dhe ngjarjet e 24 dhjetorit i vështrojnë si problem intra-maqedonas, për çka nuk ia vlen të harxhohet fryma e tyre euro-atlantike.

Me trashjen e zullumit, duket se është harruar 15 shtatori i vitit 2007, kur opozita aktuale shqiptare iu vërsul kundërshtarëve të përbetuar, që sot heshtin besnikërisht ndaj dajakut kundër kolegëve të tyre maqedonas. Kjo ngjarje e filmuar nuk u ndriçua kurrë dhe deri sot nuk janë marrë masa për evitimin e incidenteve të këtilla. Po të kishte qenë ndryshe, mbase nuk do të ishte përsëritur problemi.  

Krahasimi i këtyre dy incidenteve më serioze, meqë kishte edhe disa tjera në ndërkohë, nxjerr në pah disa konstatime që e tregojnë fundërrinën që e ka prekur shteti dhe mbarë shoqëria në Maqedoni. 

Së pari, dhuna është bërë pjesë e jetës tonë dhe ajo ndodh kudo, prej rrugës dhe autobusëve, deri në Kuvend. Dajaku në institucionin më të lartë shtetëror kalon pa u ndëshkuar dy herë. Arsye për këtë ka plot – ato më seriozet e përfshijnë klimën e krijuar të dhunës dhe mostolerancës shoqërore për mendimin ndryshe, nivelin e ulët të disa deputetëve, si dhe imunitetin nga ndëshkimi. 

Më tej, dhjetori i vitit të kaluar e dëshmoi edhe një herë që nuk ka dallime etnike ose partiake kur flitet për primitivizmin politik. Nëse në vitin 2007 disa medie maqedonase e interpretuan dhunën ndër-shqiptare si një dëshmi tjetër të zhvillimit të rudimentuar, tani dihet botërisht se nuk ka asnjë dallim. 

Së treti, ngjarjet rredh incidenteve në Kuvend vetëm se e pasqyrojnë modelin e qeverisjes në Maqedoni, ku vështrimet filmike të dhunës maskohen me fjalë të buta dhe relativizime. Kjo ndodh në shumë fusha tjera (monumente, ekonomi, rrahje të dirigjuara për karriera politike, patriotizëm, histori, fabula për integrime), ku porosia e vetme është se pavarësisht asaj që e shohim me sytë tonë, ne duhet t’i besojmë versioneve zyrtare dhe medieve të kontrolluara me reklama të majme.   

Për fund sipas radhitjes dhe veçanërisht seriozitetit, duhet trajtuar pozita e Bashkimit Evropian. Raporti për incidentet e Kuvendit është vetëm një pikë në detin e problemeve të thella Maqedonisë. Nëse Brukseli vazhdon t’i mbyllë sytë dhe e përsërit gabimin e dhënies së rekomandimit falë një raporti dosido, të miratuar sa për sy dhe faqe, kjo nuk i ndihmon vendit dhe aq më pak demokracisë së brishtë dhe të korruptuar. Përkundrazi, heshtja konstante dhe modifikimi i kritikave do ta merr hakun shpejtë, si që është dëshmuar shumë herë kur krimet dhe shkeljet kalojnë pa asnjë pasojë. 

Me afrimin e vjeshtës, kriza do të thellohet më tej. Si kurrë më parë, përveç çështjeve etnike, tashmë shpeshtohen edhe konfliktet fetare të nxitura nga grupet pro-qeveritare. Ngjarjet në rrethin e Strugës nuk janë të rastësishme. Qarku dihet – pak konflikte në Strugë, ca dajak në rrugët e Shkupit dhe telashe në Kumanovë. Me probleme kaq thelbësore, demokracia parlamentare dhe çështja e emrit do të duken si imtësira kundrejt konflikteve që nxiten vazhdimisht. Dhuna do të sjell më tepër dhunë, ndërsa Brukseli do ta ketë edhe më vështirë të ndikojë në pasojat e politikave të gabueshme, pjesërisht edhe falë zbehjes së ndikimit që vjen si rezultat i heshtjes së thellë tash e disa muaj.        
 
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button