Marijuana, produkti kryesor i eksportit për Shqipërin

Marijuana përbën produktin kryesor të eksportit në Shqipëri. Është ky titulli i artikullit të djeshëm të publikuar në “Bussines New Europe”, ku nënvizohet rritja e rolit të Shqipërisë në furnizimin e Evropës me këtë produkt, për t’u kthyer madje edhe në furnitorin kryesor në kontinent. “Njoftimi i 23 gushtit sipas të cilit policia shqiptare bllokoi më shumë se 1 ton kokainë me destinacion Italinë nxori në pah rritjen e peshës së këtij vendi (që aspiron të bëhet pjesë e BE-së) në furnizimin e kontinentit evropian me marijuanë”, shkruan artikulli që mban firmën e gazetarit Nicholas Watson. 

“Shqipëria tashmë konsiderohet gjerësisht si furnitori kryesor i Evropës me Kanabis, si dhe një zonë e rëndësishme tranziti për llojet e tjera të drogës, si heroina e kokaina”, vëren artikulli. Më tej citohet një raport i Departamentit Amerikan të Kontrollit të Lëndëve Narkotike, sipas të cilit vitin e shkuar policia bllokoi më shumë se 21 tonë kanabis me destinacion tregjet evropiane, kryesisht Greqinë e Italinë, shifër që sipas raportit është thuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2011. Edhe sasitë e kapura të heroinës e kokainës janë dyfishuar për të njëjtën periudhë, përkatësisht 87.7 kilogramë dhe 4.6 kilogramë. “Policia financiare italiane vlerëson se prodhimi i marijuanës i siguron Shqipërisë më shumë se 4.5 miliardë euro në vit (shifër që nuk pranohet nga autoritetet shqiptare). Sipas të dhënave zyrtare, totali i eksporteve për vitin 2012 preku kotën e 1.7 miliardë eurove”, shkruan artikulli. 
Lazarati 

Sipas “Bussines New Europe”, pjesa më e madhe e prodhimit të marijuanës është përqendruar në zonën malore përreth Lazaratit. Watson i referohet një tjetër artikulli me të njëjtën temë të publikuar nga “Global Post”, ku nënvizohet se këtë vit në zonë janë mbjellë rreth 300 mijë rrënjë kanabis, të cilat sigurojnë një produkt prej rreth 500 tonësh marijuanë. “Me më shumë se 90% të lazaratasve (që në total janë rreth 7 mijë) të cilët mendohet se janë të përfshirë në biznesin e marijuanës, nuk është aspak çudi që treguesit të vazhdojnë të mbesin të pandryshuar”, shkruan Watson, duke sjellë në artikull edhe një fakt tjetër të publikuar nga “Global Post”. Ajo i referohet një përpjekjeje të dështuar verës së shkuar të një njësie speciale për të hyrë në Lazarat, e cila përfundoi në këmbime të ashpra zjarri, të cilat një komisar shqiptar policie, nën anonimat, i përshkroi si një luftë e vërtetë. “U gjendëm nën zjarrin e ashpër që vinte nga 20 pozicione, përfshi këtu edhe mitralozë të rëndë e predha antitank. Pashë një gjyshe të moshuar që na qëllonte me një mitraloz të rëndë. Mendova se do vdisja”, citohej komisari në artikull. 

Lajme të ngjashme

Back to top button