Qeveria “Rama” nisë zyrtarisht punën më 12 shtator

Burime nga Presidenca kanë bërë të ditur për A1Report se presidenti Nishani do të dekretojë pa asnjë vonesë kabinetin e ri.

Sipas Kushtetutës presidenti ka 10 ditë kohë për të dekretuar qeverinë, por burimet të cilave u referohet A1 Report bëjnë të ditur se Nishani do ta dekretojë brenda 24 orëve që nga momenti kur do i dërgohet dekreti për të firmosur qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Kështu, në seancën e parë të Kuvendit, të cilën presidenti Nishani e ka thirrur më 9 shtator, pritet të bëjnë betimin 140 anëtarët e rinj, deputetë të dalë nga vota e shqiptarëve 3 muaj më parë.

 Në po të njëjtën seancë do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, i cili sipas marrëveshjes PS – LSI do të propozohet të jetë, Ilir Meta.

 Pas kësaj, Kuvendi i dërgon presidentit Nishani propozimin për emërimin e qeverisë së re. Këtë dekret presidenti Nishani, sipas burimeve të A1Report, do ta firmosë brenda 24 orëve, duke siguruar njëherësh edhe vullnet bashkëpunimi me qeverinë e majtë, gjithashtu duke mos u bërë pengesë për fillimin e menjëhershëm të punës.

Kësisoj,  sipas burimeve zyrtare, pas firmës së presidentit Nishani, më 12 shtator ministrat e PS e LSI do të ulen në zyrat e tyre për të marrë në duar drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme. 

Lajme të ngjashme

Back to top button